Rama thotë se uli papunësinë, por pritet me protesta në Elbasan

“Jemi të gjithë të vetëdijshëm se për shkak të të qëndruarit larg edhe nga mediet të realitetit të tregut të punës dhe për shkak të përsëritjes papushim të fjalës s’ka punë, ka një hendek mes realitet të tregut të punës dhe shumëkujt që dëshiron me të vërtetë që të punojë, por është i dekurajuar nga ky perceptim”

Lajme

02/06/2018 16:46

Përballë godinës ku kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po zhvillonte nje takim të mbyllur me drejtorët e drejtorive, disa qytetarë të mbështetur nga deputetë e drejtues lokalë të Partisë Demokratike u konfrontuan me policinë.

Uniformat blu nuk donin të lejonin ngritjen e pankartave, por më pas protestuesit dhe policët zunë pozicionet respektive për 20 minuta.

Ndërsa protestuesit ishin larguar, kryeministri Rama mbërriti në Panairin e Punësimit, ku për shifrat e papunësisë tha se janë perceptim joreal. Për këtë faj gjen edhe te media.

“Jemi të gjithë të vetëdijshëm se për shkak të të qëndruarit larg edhe nga mediet të realitetit të tregut të punës dhe për shkak të përsëritjes papushim të fjalës s’ka punë, ka një hendek mes realitet të tregut të punës dhe shumëkujt që dëshiron me të vërtetë që të punojë, por është i dekurajuar nga ky perceptim”, tha Rama.

Siç thotë kryeministri, papunësia në qark është ulur me 5.4% dhe vetëm gjatë muajit maj, zyrat e punës kanë punësuar 241 persona, shkruan tch.

“1.567 vende të lira pune janë të vetëm këtu, sot që flasim, të kategorive e profileve të shumëllojshme”, u shpreh Rama.

Rama tha se në sistemin e Zyrave të Punës në Elbasan janë punësuar për këtë vit 400 persona dhe mbi 500 janë dërguar për formim profesional.

“Ne kemi kaluar në 10.300 të punësuar dhe besojmë shumë se do ta tejkalojmë objektivin e vitit, për 25 mijë të punësuar vetëm nga zyrat e punës”, deklaroi Rama.

Shifrat i referohen vetëm personave që gjejnë punë përmes zyrave të punësimit, ndërkohë që të tjerë punësohen nga kompanitë përmes rrugëve të tjera.