Rama pret ministrin e brendshëm francez

Ministri i Brendshëm i Francës është duke zhvilluar ditën e sotme një vizitë në Shqipëri, ku është takuar edhe me kryeministrin, Edi Rama.

Lajme

15/12/2017 13:55

Në një konferencë të përbashkët pas takimit, Rama siguroi qeverinë franceze se procesi i frenimit të azilkërkuesve do të vazhdojë deri në fund.

 “Do të vazhdojmë të ja bëjmë të qartë të gjithë qytetarëve se rruga e azilkërkimit, nuk është e mundur. Vullneti ynë është i plotë dhe procesi i frenimit do të vazhdojë deri në fund”, tha Rama.

“Shqiptarët janë të qartë se kjo është pjesë e rëndësishme e sfidës sonë të madhe të çeljes së negociatave dhe të ndërtimit të një shteti serioz që një orë e më parë duhet të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane”.

Ndërkohë, ministri francez Gerard Collomb u shpreh se 20 për qind të vendstrehimeve të azilantëve në Francë i zënë shqiptarët.

“Autoritetet shqiptare kanë treguar shumë kurajo për këtë çështje sepse është një çështje mjaft delikate për t’i penguar njerëzit që duhet të largohen nga Shqipëria. Kur ne iu kërkojmë autoriteteve shqiptare se duhet të kthehen azilkërkuesit të cilëve iu është refuzuar kërkesa, janë treguar bashkëpunues”, tha Collomb.