Rama premton interkonjeksionin me Kosovën

Qeveria e Shqipërisë ka bërë sot bilancin 1 vjeçar të aksionit kundër informalitetit në energji. Kryeministri Edi Rama tha se shifrat flasin për një progres të dukshëm dhe se sektori nuk është më në krizë.

Lajme

20/10/2015 14:37

Duke iu referuar shifrave të OSHEE-së (Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike), Rama tha se janë arkëtuar në 9 muajt e fundit mbi 500 milionë dollarë fatura të energjisë elektrike, rreth 200 milionë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Ai shtoi se investimet dhe projektet në energjetikë do të jenë të shumta, duke u ndalur edhe në përfundimin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën, projekt që sipas tij,  u zvarrit për arsye korruptive nga qeveria e kaluar.

“Shifrat thonë se vetëm në 9-mujorin e parë të këtij viti ne kemi mbledhur 503 milionë dollarë. Po ashtu ky vit thotë se po arrijmë të kapërcejmë gjysmën e dytë të punimeve për interkonjeksionin me Kosovën, një projekt strategjik i bllokuar për arsye të rëndomta korruptive ng a ata që me flamurin kombëtar mbështillnin paratë e ikura në mënyrë të paditur që nga Rruga e Kombit deri te linja e interkonjeksionit,” tha Rama.

Gjatë takimit për bilancin energjetik Rama kritikoi opozitën se e zhyti sektorin në 1 miliardë dollarë borxhe, dhe tani akuzojnë ministrin Damian Gjiknuri dhe qeverinë për afera korruptive dhe pazare me CEZ.

Rama tha se ata duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë situatë dhe se të gjitha këto do të jenë pjesë e hetimit ndërkombëtar që do kërkohet nga qeveria. Kryeministri Rama tha se Qeveria do e mbajë premtimin për të ulur taksën mbi vlerën e shtuar për konsumatorin familjar. Ai shtoi se kjo reformë nuk e rriti çmimin e energjisë por e uli atë.

“Ne sot jemi në një situatë tërësisht të re, dhe jemi në situatën ku mund ta th emi se kemi hapur shtegun për të shtruar rrugën e mbajtjes së një zotimi, sigurisht ka ende rrugë për të shtruar, për ta ulur taksën mbi vlerën e shtuar në energji për konsumatorët familjarë,” tha Rama.

Ndërkohë ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri foli për aksionin kundër informalitetit në energji, ku janë evidentuar mbi 2,8 mijë raste të vjedhjes së energjisë, dhe janë arrestuar mbi 1,2 mijë persona. Tahiri tha se aksione të tilla do shtrihen në çdo sektor për të luftuar paligjshmërinë dhe kriminalitetin, por edhe korrupsionin brenda administratës.