Rama kërkon disiplinë. Kreu i PS ndan detyrat në grupin parlamentar

Në fillim të muajit tetor, Partia Socialiste do të mbledhë sërish Asamblenë për të zgjedhur kryesinë e re dhe sekretarët.

Lajme

14/09/2017 12:26

Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist Edi Rama foli edhe për një marrëveshje mirëkuptimi që do të nënshkruhet mes kreut të grupit, Sekretarit të Përgjithshëm dhe ministrave, e që më pas do t’i shpërndahet deputetëve. Kjo marrëveshje, sipas Ramës, vendos çdokënd në pozicionin e vet në raport me të drejtat dhe detyrat e tij në parti dhe grup.

Një tjetër nismë e kryeministrit është mbledhja e qeverisë përgjatë një sesioni parlamentar një herë në çdo qark për të punuar bashkë me deputetët, drejtuesit vendorë dhe komunitetin.

Kryesia e Partisë Socialiste i ngarkoi sot Sajmir Tahirit detyrën e koordinatorit në terren për bashkëqeverisje me qytetarët. Rama ka kërkuar respektim të rregullores nga të gjithë deputetët, ndërsa në seancat e të enjtes është kërkuar prania e përhershme nga i gjithë grupi parlamentar. /TopChannel/