Rama e Meta u drejtohen popullit 2 ditë para zgjedhjeve (Video)

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kreu i Kuvendit Ilir Meta, kanë dalë sot në një konferencë për shtyp para gazetarëve ku kanë folur për fushatën zgjedhore të Aleancës për Shqipërinë Evropiane, të cilën e quajtën një fushatë të qetë dhe të kulturuar.

Lajme

19/06/2015 15:55

Në hyrje të fjalës së tij kryeministri Rama hodhi poshtë çdo akuzë të bërë ndaj së majtës se ka përdorur nxënësit, fëmijët apo administratën në mitingjet elektorale, dhe shpjegoi se e gjitha ka qenë një keqinterpretim, pasi në takimet me banorët as e majta dhe as e djathta nuk mund të ndalojnë familjarët të marrin pjesë në dëgjesë të gjithë bashkë, të vegjël e të rritur qofshin.

Edhe sa i përket incidenteve, Rama tha se pretendimet e PD-së janë artificiale, ndërsa për ato raste që ka pasur probleme si në Ersekë apo Vorë gjithçka po ndiqet nga Policia, Gjykatat dhe Prokuroria.

Rama u bëri apel qytetarëve që të votojnë të lirë ditën e 21 qershorit. Gjithsesi, kryeministri pranoi se në listat zgjedhore janë evidentuar probleme, si në Durrës apo në Vorë, porse edhe kjo çështje po zgjidhen nga Prokuroria dhe Gjykata.

Sa i përket akuzave për kandidatë të inkriminuar në ASHE, Rama tha se në mënyrë kategorike e majta nuk ka asnjë kandidat për kryetar bashkie që të jetë dënuar më herët nga ndonjë gjykatë shqiptare apo e huaj.

Edhe Meta e quajti fushatën të qetë, ndërsa vuri theksin te pjesëmarrja ditën e zgjedhjeve që përcakton standardin kryesor.

Meta u bëri apel qytetarëve që t’u drejtohen qendrave të votimit dhe të votojnë të qetë e të lirë për bindjet e tyre duke evituar çdo lloj ndikimi apo presioni. Lidhur me rezultatin ai tha se nuk mund të bëjë orakullin, por theksoi se nuk do t’i vinte keq që të 61 bashkitë t’i fitonte opozita – mjafton që zgjedhjet të jenë me standarde.

YouTube player