Ra fushata e u “harrua” ushtria

Vrojtues të fushatës thonë se çështja e themelimit të ushtrisë nuk po shihet si diçka që mund të sjellë vota.

Lajme

31/05/2014 15:24

Subjektet politike gjatë këtyre ditëve të fushatës asnjëherë nuk e kanë zënë në gojë çështjen e themelimit të ushtrisë, për dallim nga zgjedhjet e kaluara.

Sipas njohësve të çështjeve zgjedhore çështja e themelimit të ushtrisë nuk mund të shihet si diçka që mund të sjellë vota, raporton Radio Kosova.

Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika Kërkimore thotë se partitë po flasin për zhvillim ekonomik ngase e kanë kuptuar se as ushtria e as sloganet e vjetra për çështje nacionale nuk mund të sjellin vota.

“Por nuk do të ndodhë zhvillimi ekonomik pa reformën dhe forcimin e gjyqësorit , sundimin e rendit dhe ligjit ngase kjo është parakusht për mirëqenien e qytetarëve. Gjithashtu pa e reformuar administratën e cila është e politizuar dhe e korruptuar”, ka thënë Rashiti.

Ndërsa për Shpend Kursanin fakti që partitë nuk e kanë problem të bëjnë premtime nga më qesharaket, ushtria nuk po përmendet edhe për faktin se themelimi i saj nuk do jetë aq i lehtë për t\’u realizuar.

 “Ushtria nuk po përmendet në fushatë jo shkak se ato po sillen me përgjegjësi ngase asnjëra prej tyre e kemi pas se nuk e ka problem me gënjye votuesin pa fije turpi”.

“Nuk është se e kanë menduar ushtrinë këtë në formë aq institucionale ngase partitë politike në Kosovë nuk e shohin institucionin për ta marrë votën , por e shohin pushtetin për ta ruajtur pozitën dhe pasurin e tyre”, ka thënë Kursani.

 Dastid Pallaska thotë se realiteti për shtetin ligjor mund të mos ndryshoj shumë pas 8 qershorit ngase partitë po tregojnë se sundimin e ligjit e kanë hendikep dhe për këtë po i ikin si ofertë.

 “Sundimi i ligjit është parakusht për jetën normale dhe sigurinë e çdo qytetari dhe është absurde nëse dikush jep premtime madhore për ekonomi kur sovraniteti i shtetit në aspektin ligjor veçse është prekur në palcë ”, i ka thënë Pallaska RTK-së.