Qytetari pretendon se është toka e tij, banorët e Nakëllit në Pejë mbesin pa asfalt

Fshati Nakëll në komunën e Pejës, nuk e ka rrugën e asfaltuar, ndonëse u ishte premtuar se asfaltimi i saj ishte premtuar për këtë vit.

Lajme

30/07/2018 23:00

Atyre u është premtuar se kjo rrugë do të përfundojë më së largu në qershor, por 400 banorët e këtij fshati, duhet të presin ende, për 2 kilometra asfalt.

Agron Ferizi thotë për RTV Dukagjinin se përballen me një rrugë që na sjellë probleme si në shi ashtu edhe në diell.

“Kemi vështirësi edhe kur bie shi edhe kur ka diell sepse bëhet pluhur i madh. Kur kalon ndonjë veturë nuk mundesh me qëndrua ose duhet me pasur ndonjë maskë gazi”, shprehet banori Agron Ferizi.

Sipas banorëve problemi më i madh gjatë sezonit të dimrit kur ka të reshura atmosferike dhe ata detyrohen t’i shesin bagëtitë.

“Kryetari ka thënë që rruga në maj apo qershor do të përfundoj, incizimi ekziston, por deri tani punimet nuk kanë filluar”, shprehet Agron Lajçi.

Pavarësisht kërkesave nga banorët, Komuna e Pejës nuk ka arritur një marrëveshje për fillimin e punimeve, për shkak të problemit me një banorë që po pretendon se është tokë private.

“Kemi një problem me një banorë i cili nuk ka lejuar zhvillimin e punimeve me pretendimet se ajo është pronë private e tij. Kadastra në terren ka vërtetuar se ajo është pronë publike dhe punimet mundë të vazhdojnë, por tash edhe operatori ekonomik i ka zgjatë proceduarat e zhvillimit të punimeve, por shumë shpejt do të fillojnë punimet për riasfaltimin e kësaj rruge”, shprehet Durim Sheremeti, shef i kabinetit të kryetarit Muhaxheri.