Qytetarët pak të informuar për të drejtat e konsumatorëve

Që nga qershori i vitit 2013 e deri në dhjetor të vitit 2014, në Departamentin për mbrojtjen e konsumatorit janë pranuar gjithsej 185 ankesa. Kjo tregon se pak qytetarë janë të informuar se ekziston një numër telefoni ku ata mund të drejtohen për mbrojtjen e tyre.

Lajme

26/02/2015 17:56

Mbrojtja e konsumatorit paraqet një nga prioritetet kryesore që lidhen drejtpërdrejtë me të drejtat e njeriut dhe humane të çdo qytetari, andaj rruga drejt realizimit të këtyre të drejtave për konsumatorët bart në vete shumë sfida dhe probleme që duhet adresuar dhe tejkaluar bashkërisht me institucionet përkatëse.

Të gjitha këto konkludime dolën nga tryeza e rrumbullakët që u organizua sot nga KADC, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë lidhur me këtë çështje.

Me këtë rast, Florina Berisha tha se tryeza është organizuar me qëllim të ngritjes së vetëdijes së qytetarëve për mbrojtjen e së drejtës së tyre si konsumator dhe informimin sa më të mirë të tyre.

Berisha tha se në këtë aspekt kanë parë se qytetarët janë shumë pak të informuar për të drejtat e tyre, pasi kjo arsyetohet me faktin e një numri shumë të vogël të ankesave që kanë shkuar në drejtim të Departamentit për mbrojtjen e konsumatorit.

“Në periudhën qershor 2013- dhjetor 2014 Departamenti për mbrojtjen e konsumatorit ka pranuar gjithsej 185 ankesa… Pak qytetarë janë të informuar se ekziston një numër ku ata mund të drejtohen për mbrojtjen e konsumatorit”, tha ajo.

Ndërkaq, Nijazi Shala, drejtor i këtij departamenti në MTI-së, bëri të ditur se mbrojta e konsumatorit është një fushë relativisht e re në Kosovë që e pret një rrugëtim i gjatë. Sipas tij, është fushë teknikisht shumë e gjerë sidomos në relacion me hapësirën dhe kohën që gjendemi, e respektivisht siç tha standardeve përgjatë rrugëtimit në BE.

Shala nënvizoi se departamenti i tyre ka punuar mjaft deri më tani në këtë drejtim, e veçmas tek shqyrtimi i ankesave ku, sipas tij, është një departament i veçantë që pranon, shqyrton dhe selekton të gjitha ankesat duke i dërguar ato pranë inspektorateve kompetente dhe më pastaj për ti informuar konsumatorët

Ndërkaq Gani Bucaj, kryesuesi i Departamentit për mbrojtjen e konsumatorëve pranë ZRRE-së, shpjegoi se qëllimi i kësaj zyre në këtë fushë është që të mbrojë interesat e konsumatorëve në sektorin e energjisë, pastaj të zgjidhë ankesat e tyre ndaj ndërmarrjes së energjisë, të sigurojë trajtim të barabartë dhe jo diskriminues ndaj gjithë konsumatorëve etj.

Ai bëri me dije se ankesat më të shumta që adresojnë konsumatorët tek ta janë kryesisht ato të faturave që kanë të bëjnë me lexim jo korrekt, pastaj fatura jo të sakta, faturim pa matje, kontestim borxhi etj.