Qindra emigrantë në Maqedoni merren peng nga bandat, kërkojnë para për lirimin e tyre

Mediat maqedonase raportojnë se shumë emigrantë ilegal nga Lindja e Mesme janë rrëmbyer nga banda të cilët kërkojnë shuma të caktuara parash për lirimin e tyre.

Lajme

09/06/2015 11:45

Policia maqedonase në bashkëpunim e prokurorinë kanë nisur hetimet. Ishte televizioni britanik “4 News” ai që raportoi i pari lajmin se qindra emigrantë nga Siria, Afganistani dhe Jemeni, po mbahen peng nga një bandë në një fshat maqedonas.

Po sipas medias në fjalë, thuhet se policia lokale është bashkëpunëtore me rrëmbyesit.

“Ende nuk dimë asgjë, por kemi nisur hetimet për të vërtetuar nëse rrëmbimi i qindra emigrantëve, siç raportohet në media, është i vërtetë” tha zëdhënësi i policisë maqedonase Ivo Kotevski.

Sipas kanalit “4 News”, emigrantëve u është premtuar një udhëtim i sigurt me tren i cili ka kaluar nëpër Maqedoni, por në një fshat në afërsi të Kumanovës ata janë nxjerrë nga treni nga një bandë e më pas janë dërguar në fshatin Vaksince.

Emigrantët po mbahen në një shtëpi të mbipopulluar dhe do të lirohen vetëm kundrejt një shpërblimi. “4 News” shkruan se banda udhëhiqet nga një bos me origjinë afgane i njohur me nofkën “Al Baba”, i cili po bashkëpunon me autoritetet lokale.

Zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski tha se Maqedonia është përballur kohët e fundit me një fluks të madh emigrantësh nga vendet në konflikt si Siria dhe Afganistani.