Qeveria hesht ndaj kritikave për rritjen e mëditjeve të deputetëve

Qeveria e Kosovës është duke synuar që deputetëve të Kuvendit t’ua dyfishojë mëditjet e tyre kur këta të fundit marrin pjesë nëpër seanca.

Lajme

13/01/2017 11:42

Përfaqësuesit e popullit do të marrin nga 297 euro, përveç pagës bazë prej 1488 euro, nëse projektligji miratohet në Kuvend.

Ndërkaq një vendim i tillë ka shfaqur reagime të ashpra, pasi kjo situatë krahasuar me varfërinë në vend, po vlerësohet e padrejtë ndaj qytetarëve, raporton lajmi.net.

Mirëpo, Qeveria nuk po e sheh të arsyeshme ta komentojë një çështje sikurse kjo e mëditjeve, madje as ta rishqyrtojë atë. Lajmi.net ka tentuar të marr një përgjigje rreth këtij vendimi, por zyrtarët qeveritarë nuk kanë pranuar të prononcohen, pavarësisht kundërshtimeve.

Nëse ky projektligj miratohet, atëherë një deputet i Kuvendit të Kosovës do të marrë mëditje 297 euro për pjesëmarrje në seancë parlamentare, dhe po kaq për pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu njëherësh edhe deputete e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes e ka quajtur të papranueshëm një vendim të tillë.

“Ende nuk është proceduar në Kuvend, projektligji për pagat dhe ende nuk jemi në dijeni për përmbajtjen e plotë të këtij projektligji. Atë për të cilën jemi njoftuar nga mediet, ka të bëj me rritjen e shtesave për deputetet në Komisionet parlamentare dhe seancat plenare. Natyrisht që kjo për ne si subjekt politik është e papranueshme duke e pasur parasysh faktin e mjerimit dhe varfërisë me të cilën përballen qytetarët”, është shprehur Haxhiu për lajmi.net.

Ajo ka sqaruar se janë mbi 40% e qytetarëve të papunë, 18 % në varfëri ekstreme dhe në vend të ndërrmarjes së mekanizmave për zbutje të papunësisë dhe varfërisë, Qeveria siç thekson ajo po planifikon rritjen e standardit (edhe ashtu të rritur) për vete dhe deputetet e Kuvendit.

“Pra këtë nismë ne si grup parlamentar do ta kundërshtojmë dhe do të propozojmë amendamente për heqjen e neneve që janë në shpërputhje me gjendjen socioekonomike ne vend”, potencoi ajo.

Për më tepër, rritja e mëditjeve për deputetët e Kuvendit të Kosovës ka gjasë të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Instituti Demokratik i Kosovës ka paralajmëruar se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për të kundërshtuar këtë rritje.

Albert Krasniqi nga ky institut i cili monitoron punën e Kuvendit tha për lajmi.net se rritja e mëditjeve për deputetë do të kundërshtohet, pasi kjo është e papranueshme krahasuar gjendjen ekonomike të qytetarëve.

“Ne do ta kundërshtojmë rritjen e mëditjeve për deputetët, duke marr parasysh edhe përformancën e deputetëve. Po ashtu rritja e pagave të deputetëve duke pas parasysh gjendjen ekonomike të qytetarëve është e papranueshme”, sqaroi Krasniqi.

E kundër këtij projektligji ka dal edhe njëri nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi. Ai është shprehur haptazi kundër mundësisë për rritje të mëditjeve.

“Nuk di sa është e vërtetë kjo çështja e rritjes së mëditjeve për deputetët, unë nuk jam në dijeni për këtë çështje, vetëm çka lexova nëpër portale. Nëse një propozim i tillë vjen në parlament, unë nuk do ta përkrahu sepse nuk ka nevojë, deputetet e kanë të rregulluar bukur mirë çështjen financiare.

Prioritet për qeverinë për të alokuar mjete të tilla duhet të jenë sektorët tjerë si psh: rastet sociale, shëndetësia, arsimi etj” është deklaruar ai.

Vlen të theksohet se deri më tani sipas projektligjit aktual, për një seancë parlamentare një deputet ka marr mëditje në vlerë prej 120 euro, derisa 80 euro tjera për një mbledhje të komisionit./Lajmi.net/