Qeveria “harron” Fondin Emergjent për të riatdhesuarit

Ndonëse numri i qytetarëve të Kosovës që po migrojnë ilegalisht drejt shteteve perëndimore ka rënë shumë, numri i atyre që po kthehen po vazhdon të rritet.

Lajme

22/03/2015 12:45

Pothuajse çdo ditë me dhjetëra qytetarë të Kosovës po kthehen nga shtetet ku kishin migruar ilegalisht, pasi që ata nuk arritën të marrin azil për qëndrim.

Mirëpo, numri i të rikthyerve kishte ngjallur frikën se do të krijonte probleme sociale, meqë ata që migruan shitën pasuri, kanë hyrë në borxhe dhe kthimi i tyre do të sjellë edhe me shumë varfri.

E për këtë ishte parë i nevojshme krijimi i një fondi emergjent për të rikthyerit që migruan në gjashtë muajt e fundit.

Megjithatë, një fond për ata që riatdhesohen ekziston, por nga ai mund të përfitojnë vetëm ata të cilët kanë migruar para vitit 2010.

Zyrtarët qeveritarë kanë premtuar rritjen e këtij fondi për të rikthyerit, sepse vala e kthimit është e madhe dhe mund të mbesin pa mjete.

Derisa opozita po e quan dështim të Qeverisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, meqë, sipas tyre, është dashur qysh moti të krijohet një fond emergjent për riatdhesimin e atyre që migruan në kohën e fundit.

Por, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, në një raportim më 2 mars, para Komisionit për Integrime Evropiane kishte thënë se ka vendosur si pikë shtimin e buxhetit për të rikthyerit, sepse mund të mbesin pa para.

“Po, kam vendosur si pikë që me rishikim të buxhetit të shihet mundësia e shtimit të fondit për riatdhesim sepse ka mundësi që mund të vijmë në një situatë që të na mungojnë mjetet”, kishte thënë  Hyseni.

KosovaPress ka tentuar të marrë një qëndrim të MPB-së nëse kanë kërkuar nga Qeveria krijimin e një fondi emergjent, por nuk kanë dashur të deklarohen për këtë çështje.

Mirëpo, krijimin e një fondi e kishte e paraparë edhe rezoluta e propozuar nga AAK-ja, e cila kishte dalë pas interpelancës së kryeministrit Isa Mustafa për migrimin ilegal.

Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, thotë se është tejet i nevojshëm krijimi i fondit emergjent që do të trajtonte nevojat emergjente të qytetarëve.

Sipas saj, asnjë pikë e rezolutës së miratuar në Kuvend nuk është përmbushur, ndonëse ishte përkrahur nga të gjitha grupet parlamentare.

“Asnjë pikë nga rezoluta nuk ka filluar të realizohet. Ne po presim që të kalojnë tre muaj në mënyrë që t’i thërrasim ministrat në interpelancë veç e veç të dikasterit përkatës, kryeministrin po ashtu”, theksoi ajo.

Edhe Driton Selmanaj, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se institucionet tashmë do duhej të formonin një fond ose një program për t’u përballur sa me lehtë me të rikthyerit që do të jenë në numër të madh, meqë edhe migrimi ka qenë masiv për vetëm brenda pak muajve.

Migrimi ilegal i qytetarëve të Kosovës ishte mjaft i madh, sidomos në kohën e bllokadës institucionale dhe në muajin janar dhe fillimin e muajit shkurt të këtij viti. Qytetarët që migronin tregonin hapur se shkaku kryesor ishte gjendja ekonomike, derisa për të migruar qytetarët shitnin gjithçka që kishin, hynin borxh, madje e linin edhe punën për të cilë paguheshin nga 200 e deri në 600 euro.