Qeveria e Kosovës përshëndet ratifikimin e MSA-së

Me anë të një komunikate Qeveria e Kosovës ka përshëndetur ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, e arritur ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike.

Lajme

02/11/2015 14:15

Në komunikatën që ka lëshuar qeveria thuhet se ky është një vendim shumë i rëndësishëm për shtetin dhe qytetarët e Kosovës dhe poashtu hap rrugën drejt proceseve të mëtutjeshme integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, vendos bazamentin e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së, që përbën një mundësi shumë të mirë për ndërmarrjen e reformave për fuqizimin shtetit ligjor, krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik, thellimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar me vendet e BE-së, dhe përafrim të gjithanshëm të Kosovës me vlerat dhe standardet evropiane”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Qeveria e Republikës së Kosovës zotohet se do të punojë me përkushtim edhe më të madh për përmbushjen e të gjitha kritereve të parapara në këtë Marrëveshje, që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian brenda një periudhe optimale.

Qeveria e Kosovës ka falënderuar Bashkimin Evropian dhe të gjitha shtetet anëtare të saj, si dhe të gjitha institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës për përkushtimin e palëkundur për të quar përpara agjendën evropiane, si të vetmen alternativë dhe aspiratë integruese të popullit të Kosovës.