Qeveria e Kosovës kërkon nga Maqedonia transparencë në rastin “Monstra”

Qeveria e Republikës së Kosovës, ka shprehur shqetësimin me ngjarjet e fundit në Maqedoni. Përmes një deklarate i bëhet thirrje Maqedonisë për transparencë në raste gjyqësore dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Lajme

10/07/2014 13:07

Qeveria e Republikës së Kosovës ka kërkuar nga shteti i Maqedonisë që respektojë të drejtat themelore të njeriut.

Përmes një deklarate, Qeveria e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj për klimën jo të mirë që është aktualisht në Maqedoni.

Në deklaratën e Qeverisë së Kosovës, kërkohet nga Maqedonia  që të ketë transparencë në proceset gjyqësore.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është duke i përcjellë më vëmendje zhvillimet e fundit në Maqedoni, ndërsa shpreh shqetësim për rritjen e klimës konfliktuoze dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të veprojnë në mënyrë sa më të qetë dhe të kujdesshme për të shmangur me çdo kusht një përshkallëzim të mëtutjeshëm të situatës”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, kërkon nga autoritetet në Maqedoni që të garantojnë zbatimin e të drejtave themelore të njeriut, konkretisht në këtë rast, të mundësojë gëzimin e të drejtës së qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon sigurimin e maksimumit të rigorozitetit dhe transparencës në proceset gjyqësore, në veçanti në rastin delikat që po trajtohet në Maqedoni, për të mos lënë kështu, hapësirë që proceset gjyqësore të politizohen, apo të shërbejnë si bazë për kultivimin e urrejtjes ndër-etnike”.

“Përpos kësaj, Qeveria e Kosovës i bënë thirrje qytetarëve shqiptarë të Republikës së Maqedonisë që të veprojnë me maturi dhe vetëpërmbajtje, duke ndjekur rrugën e dialogut dhe institucioneve për zgjidhjen e problemeve”.

“Po ashtu, i fton që të mos bien pre të provokimeve që vijnë prej segmenteve të caktuara të cilët synojnë tensionimin e mëtejshëm të situatës dhe nuk përfaqësojnë vullnetin e popullsisë shqiptare në Maqedoni. Këto grupime ndjekin agjenda specifike që shkojnë ndesh me interesat kombëtare prandaj ftohen qytetarët që të mos bashkëpunojnë me to e të mos bien në ndikimin e tyre” .

“Prandaj, të gjithë aktorët dhe faktorët e jetës publike në Maqedoni duhet të vihen në veprim për të shtensionuar situatën dhe parandaluar degradimin në dhunë të protestave që planifikohen të organizohen ditën e premte. Të gjithë duhet që bashkërisht të punojmë që të ndërtojmë një frymë të paqes e bashkëpunimit në Ballkan sepse rruga institucionale e dialogut dhe mirëkuptimit janë forma më e mirë e zgjidhjes së problemeve në shoqëri”,  thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.