Që PDK të jetë sërish e para duhen reforma rrënjësore, thotë Arsim Bajrami – Lajmi.net
Që PDK të jetë sërish e para duhen reforma rrënjësore, thotë Arsim Bajrami
Autori: Lajmi.net LajmePolitikë 22:05, 23 May 2018
Duhet të jemi realistë, nuk e kemi fuqinë që e kemi pasur, sepse jemi vonuar në reforma dhe në tranzicion, ka thënë nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami.

Në Zona B të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se transformimi i PDK-së duhet të jetë i shpejtë dhe programor, duke u shkëputur nga mendësia e dy dekadave të para si parti, drejt një sistemi të brendshëm vlerash.

“Unë kam bërë një analizë të pacenzuruar, me kërkesë të Hashim Thaçit dhe Kadri Veslit. Ka qenë një analizë 70 faqe, shumë kritike, për vonesat në transformimin e partisë. PDK-ja nuk ka kohë për reforma kozmetike, apo sipërfaqësore. Duhen bërë reforma rrënjësore”.

“Ka ardhur koha që ne themeluesit të jemi zëri më kritik i partisë. Është me rëndësi që transformimi të jetë i shpejtë dhe programor. Duhet shkëputur nga mendësia që kemi pasur për gati dy dekada. Ka ardhur koha që të bëjmë shkëputje nga thirrja në luftën e fundit”.

“PDK ka nevojë të krijojë sistem të brendshëm vlerash, sepse është parti që ka qeverisur një dekadë. Duhet jo vetëm të investojë në kuadro, por edhe prurjet e reja t’i bëjë në bazë të meritave. Unë nuk jam larguar nga PDK-ja. Do të jem anëtar i përjetshëm i kësaj partie”.

“Kadri Veseli ka përgjegjësi, sepse kur e ka marrë drejtimin e PDK-së, ka qenë parti fituese”.

“Problem ka qenë vonesa në reformimin e partisë dhe marrjen e masave nga zgjedhjet lokale të vitit 2014 kur kemi humbur shtatë komuna. Nuk ka pasur reflektim. Janë bërë kompromise dhe këto kompromise ndonjëherë e dëmtojnë partinë”.

“Kryetari Veseli asnjë vendim deri tani nuk e ka marrë pa u konsultuar me kryesinë e partisë”.

Bajrami ka theksuar se PDK-së i duhet një proces i ndërrimit të gjeneratave dhe punë më e madhe me rininë në mënyrë që të ketë vazhdimësi, ndërsa për raporte më të qëndrueshme me partnerët kultivimi i korrektësisë.

“Është i domosdoshëm një transformim gjeneratash në cdo parti politike në Kosovë. Secila parti duhet të ketë shkollë në të cilën merr gjeneratat e reja. Por sektori më pasiv në PDK është ai i rinisë. Ky segement duhet të plotësohet. Ka pasur pak investim në edukimin e të rinjve”.

“Kur nuk e ke kryeministrin të partisë nuk mund të shkëlqesh në qeverisje. Por PDK-ja po mban qëndrim korrekt ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj. PDK-ja duhet të kultivojë korrektësinë ndaj partnerëve. Mund të them se ndonjëherë nuk jemi shquar me korrektësi”.

Sondazhet, që e nxjerrin PDK-në partinë e dytë në vend, nënkryetari i kësaj partie i ka quajtur të rëndësishme, por duke shtuar se ato shpeshherë janë treguar të ndryshueshme.

“Ndoshta fakti që PDK për dy mandate i fiton zgjedhjet por nuk qeveris me vendin ka ndikur në elektorat. Duhet të jemi realistë, nuk e kemi fuqinë që e kemi pasur. Jemi vonuar në reforma, në tranzicion”.

“PDK-së nuk i duhet kryesi me 50 anëtarë, por një kryesi normale me 10 apo 15 anëtarë. I duhet një Grup Parlamentar shumë pragmatik, që e duan identitetin e PDK-së”.

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO