Putin ngacmon Britaninë për spiunin e helmuar: Po ta kishim helmuar ne do të vdiste në vend

Vladimir Putin ka ngacmuar Britaninë e Madhe, pasi ish-spiuni rus Sergei Skripal u lirua nga spitali ku po kurohej për shkak të helmimit me helm nervor dy muaj më parë.

Bota

19/05/2018 08:48

Për sulmin me helmin ushtarak ‘Novichok’ që prodhohej vetëm në Bashkimin Sovjetik, Britania e Madhe kishte akuzuar direkt Rusinë. Pikërisht për këtë reagoi Putin pasi doli lajmi që Skripal dhe vajza e tij janë liruar nga spitali.

“Më vjen mirë që ai është liruar nga spitali, Zoti i dhashtë shëndet…nëse do të ishte përdorur një helm ushtarak, ai do të vdiste në vend. Falemnderit Zotit që u shërua”, tha Putin, gjatë një konference me Kancelaren gjermane Angela Merkel të mbajtur sot në qytetin Sochi të Rusisë.

Tutje, Putin akuzoi Britaninë duke thënë që nuk ishin të gatshëm për të bashkëpunuar pas helmimit të Skripal.

Sergei Skripal dhe vajza e tij, Yulia, ishin helmuar në një qytet në Britani, ndërsa janë liruar më parë nga spitali dhe tash po ruhen 24 orë nga MI5, shërbimi sekret britanik.
Kryeministrja britanike Theresa May kishte thënë që sulmin e kreu Rusia dhe kishte vënë disa sanksione duke përfshirë dëbimin e diplomatëve rusë nga Londra.

Në komunitetin ndërkombëtar është thënë që Putin ka urdhëruar personalisht helmimin e Skripalëve për të treguar fuqinë jashtë shtetit para zgjedhjeve presidenciale në Rusi.