Provokon Sheshel: 1 mijë ushtarë serbë duhet të jenë të gatshëm për të hyrë në Kosovë

Lideri radikal serb, Vojisllav Sheshel, sot ka mbajtur një fjalim në Kuvendin e Serbisë

Lajme

02/10/2018 14:15

Kreu i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, ka thënë se ushtria dhe policia ushtarake e Serbisë çdo herë duhet të jetë e gatshme që 1 mijë anëtarë të saj të hyjnë në territorin e Kosovës.

Sipas Sheshelit, Serbia ka mbështetjen e Rusisë për Kosovën dhe se sipas tij, Rusia nuk do ta braktisë kurrë Serbinë në rastin për Kosovën, madje ai ka thënë se Serbia tashmë ka edhe garancinë e Kinës, shtet ky që sipas Sheshilit tashmë po i jep mbështetje për Kosovën edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), përcjell lajmi.net

Në fjalimin e tij para deputetëve në parlamentin serb, Shesheli tha se Serbia nuk duhet të shpreh një gatishmëri të tillë vetëm në rast siç tha ai, shqiptarët kërcënojnë, por që sipas Sheshelit, Serbia duhet të jetë e gatshme çdo herë me polici e ushtri.

Radikali serb gjithashtu gjatë fjalimit të tij në Parlament, kërkoi nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq, që në çështjen e Kosovës të mos përfshihet demarkimi dhe se sipas tij, deri më tani është duke u folur që pas kësaj, mund të ketë ndarje të shtetit dhe njohje të pavarësisë së Kosovës, e që siç tha Shesheli, nënkupton anëtarësimin e Kosovës në OKB, transmeton lajmi.net.

“Është e nevojshme të bëjmë të qartë për publikun se ai nuk përfillet në asnjë nga variantet. Duhet të përdoret termi ndarje”, tha Sheshel.

Sipas tij, kjo ndarje mund të bëhet me faktin se 12 komuna me shumicë serbe në Kosovë do të ishin në sistemin ligjor të drejtpërdrejtë të Serbisë dhe pjesa tjetër e Kosovës do të marrë shkallën më të lartë të autonomisë, ku Beogradi nuk do të ndërhyjë në marrëdhëniet e brendshme shoqërore të shqiptarëve.

Ai po ashtu në fjalimin e tij në Kuvendin e Serbisë, tha se Kosova asnjëherë nuk mund të pranohet në OKB, pasi që siç deklaroi Sheshel, as Rusia dhe as Kina nuk do të lejojnë pranimin e Kosovës në OKB. /Lajmi.net/