Prokurorja: Geci e vrau Shaqirin për shkak të një konflikti të mëhershëm

Prokurorja Vahide Badivuku e ka bërë me përgjegjësi të ndjerin Ruzhdi Shaqiri për vrasjen e Bekim Kastratit, Besim Dajakut dhe plagosjen e Gani Gecit, pa pasur asnjë provë për këtë.

Lajme

13/01/2015 08:03

“Përgjegjësinë ia ka hedhur vetëm duke u bazuar në deklaratën e Gani Gecit. E, Geci këtë e ka bazuar në një deklaratë të Shkumbin Mehmetit, i dënuar me 30 vjet për vrasje, të cilin prokurorja nuk e ka intervistuar fare”, shkruan Koha Ditore.

Mbi këtë bazë, vrasjen e Ruzhdi Shaqirit nga Gani Geci ajo e ka kualifikuar si “vrasje e kryer në gjendjen e tronditjes së fortë mendore” e dënueshme nga 1 deri në 10 vjet burgim.

Geci, akuzohet se më 4 gusht 2014 rreth orës 18:50 minuta në një kafene në qendër të Skenderajt ka vrarë Ruzhdi Shaqirin.

Prokurorja thotë se këtë e ka bërë për shkak të një konflikti të mëhershëm.

“Për shkak të konfliktit të mërhershëm datë 19/10/2001 rreth plagosjes së Gani Gecit dhe vrasjes së dy gazetarëve Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku, i pandehuri e privon nga jeta tani të ndjerin Shaqiri”, pretendon prokurorja në aktakuzë.

Nisja e gjykimit është caktuar për ditën e mërkurë, shkruan sot e përditshmja Koha Ditore.