Prokuroria kosovare kishte filluar hetime rreth të përfshirëve në Kumanovë para incidentit

Institucionet e rendit në vend, kanë pasur informacione dhe kanë filluar hetimet për aktivitetin e personave të përfshirë në rastin e Kumanovës, para se të ndodhte ai ku u vranë rreth dhjetë kosovarë të armatosur dhe u arrestuan mbi njëzet të tjerë.

Lajme

19/05/2015 17:15

Prokurori i Shtetit, respektivisht Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate ka arsyetuar aksionin duke thënë se ai është ndërmarrë për të ruajtur rendin në vend.

“Ky veprim hetimor, i bazuar në ligj, është ndërmarrë duke vlerësuar rëndësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend, si dhe parandalimin e çfarëdo lloji të kryerjes së veprave penale”.

Veprimet e para hetimore, në këtë rast, sipas prokurorisë, kanë filluar para se të ndodhin ngjarjet e fundit në Maqedoni, për shkak të dyshimeve se disa persona kanë planifikuar kryerjen e disa veprave penale në vendin tonë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pasi që për këtë rast, ka pranuar kërkesë së bashku me prova nga Policia e Kosovës i është drejtuar gjykatës kompetente me kërkesë për lëshimin e urdhrit për kontroll.

Për sqarim të opinionit, në këtë rast mund të jenë të dyshuar persona të njëjtë, të cilët sipas informatave që Prokuroria i ka pranuar nga mediat, mund të kenë qenë të përfshirë në ngjarjet e ndodhura në Maqedoni.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës përderisa rastin e ka në fazë hetimore nuk mund të bëjë publike informata tjera, mirëpo siguron opinionin se Prokurori i Shtetit, duke u bazuar në kompetencat dhe obligimet ligjore që ka, do të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e të gjitha akteve të kundërligjshme në vend. (lajmi.net)