Prokuroria kërkon dënim për ish-gjykatësin dhe avokatin që akuzohen se e shpallën të vdekur Rrahim Bajramin

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që ish-gjykatësi Sami Gërdovci dhe avokati Meriman Vehapi të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Lajme

21/03/2018 19:28

Një kërkesë të tillë, e ka bërë prokurorja e rastit, Merrushe Llugiqi në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku është dhënë fjalë përfundimtare në këtë rast.

Ish-gjykatësi Sami Gërdovci, akuzohet për nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, kurse avokati Vehapi, akuzohet për keqpërdorim të besimit, pasi që në vitin 2009, e kishin shpallur të vdekur, të dëmtuarin Rrahim Bajrami.

Sipas aktakuzës, Gërdovci, në cilësi të gjykatësit ka marr vendim të kundërligjshëm gjyqësor, me të cilin ka aprovuar propozimin e avokatit Vehapi, si i autorizuar i të paditurit në një çështje kontestimore, Budimir Steviq, dhe ka abroguar masën e përkohshme të caktuar me aktvendim në bazë të propozimit të paditësit Rrahim Bajrami. Kjo sipas aktakuzës, duke u bazuar në kërkesën gojore të avokatit Vehapi, me arsyetimin se i dëmtuari Bajrami ka vdekur.

“Pa mëdyshje është vërtetuar se të pandehurit kanë kryer vepra penale si në dispozitivët e kësaj aktakuze. Konsiderojmë se në veprimet e dy të pandehurve janë manifestuar elemente të veprave penale. Prokuroria mbetet pranë aktakuzës dhe i propozon gjykatës që ti shpallë fajtor dhe ti dënojë sipas ligjit”, ka deklaruar prokuroja Llugiqi në fjalën e saj përfundimtare.

Sipas saj, dy të akuzuarit kanë zgjedhur të mbrohen në heshtje sepse nuk kanë pasur çfarë të japin në mbrojtjen e tyre, raporton betimiperdrejtesi.com.

“Nga provat janë vërtetuar se Sami Gërdovci ka vepruar në kundërshtim me dispizitat ligjore dhe ka marrë aktvendim të kundërligjshëm, për shfuqizim të masës së përkohshme dhe nuk ka marrë asnjë vendim për të siguruar certifikatën e vdekjes së të dëmtuarit Rrahim Bajrami”, ka thënë prokurorja Llugiqi.

Mbrojtësi i të akuzuarit Sami Gërdovci, avokati Ibrahim Maxhuni, ka deklaruar se pret që klienti i tij të lirohet nga akuza dhe të shpallet i pafajshëm, duke shtuar se veprimet e Gërdovcit nuk përbëjnë vepër penale.

Sipas tij, në fjalën përfundimtare të prokurores dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar janë përfshirë provat të papranueshme.

“Përkatësisht ato që as nuk janë propozuar për administrim, e ato janë: procesverbali nga faza e hetimeve të të akuzuarve si dhe ekspertiza e gjeodezisë, e cila nuk është administruar”, ka thënë avokati Maxhuni.

Sipas tij, prokurorja e ka përfshirë në fjalën përfundimtare, dashjen, duke u referuar në aktakuzë, e gjë që sipas tij, nuk qëndron.

“Për të ekzistuar vepra penale duhet të ekzistojnë”, a është vendimi i kundërligjshëm, a ka dëm, a ka përfitim pasuror dhe a ka dashje”, ka thënë ai.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Meriman Vehapi, avokati Florent Latifaj, gjithashtu ka kërkuar që klienti i tij të lirohet nga akuza dhe të shpallet i pafajshëm.

“I propozoj gjykatës që sipas Kodit të Procedurës Penale ta lironi të njëjtin nga aktakuza ngase edhe me pas dashur të kryej veprën penale nuk e ka pasur atë cilësi që ka mundur ta kryej veprën penale në rastin konkret”, ka thënë avokati Latifaj.

Kurse, i akuzuari Meriman Vehapi, ka deklaruar se është i pafajshëm, duke kërkuar që të lirohet nga akuza me të cilën ngarkohet.

“Personin në fjalë për herë të parë e shoh në sallë. Dhe unë asnjëherë nuk kam marrë pjesë në seanca civile me çka unë gjykatës i dëshmoj me aktgjykimin e shkallë së parë”, ka thënë i akuzuari Vehapi.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Rrahim Bajrami, avokati Ragip Zeneli, në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se provat e administruara në seancën e mëparshme gjyqësore kanë vërtetuar faktin e pamohueshëm se veprat penale nga të akuzuarit janë kryer me dashje.

“E të cilin fakt e vërteton edhe deklarata e dëshmitares, ish-gjykatëses Sanije Muqolli, e cila në mënyrë kategorike e ka kundërshtuar kërkesën e të akuzuarve për abrogimin e masës së përkohshme të sigurimit, edhe me faktin të cilit u ka shpjeguar se ajo është gjyqtare e çështjes dhe se ajo është e obliguar që të nxjerrë masën e abrogimit. Mirëpo, përkundër kësaj të akuzuarit kanë vazhduar në zyrë me marrëveshje për abrogimin e një mase të tillë, e cila të dëmtuarit po aq sa i ka sjellë dëm material i ka shkaktuar edhe dëm moral”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se këto veprime kanë krijuar shqetësime të jashtëzakonshme për të dëmtuarit dhe familjes së tij.

Avokati Zeneli ka thënë se i akuzuari Meriman Vehapi e ka shfrytëzuar rastin dhe në bashkëpunim me Budmir Steviqin e ka blerë një pjesë të palujtshmërisë kontestuese e që disa prej tyre i ka shitë.

Ai ka shtuar se qëllimi i tij ka qenë që të futet në palujtshërinë kontesutuese të të dëmtuarit Rrahim Bajrami.

“Gjykata pas vlerësimit të provave të administruara të merr aktgjykim në bazë të ligjit, ndërsa palën e dëmtuar ta udhëzojë në kontest civil për demin e shkaktuar në këtë çështje penale”, ka thënë ai.

Kurse, i dëmtuari Rrahim Bajrami, ka deklaruar se pret përfundimin e këtij rasti, që sipas tij, e ka burgosur tash e nëntë vjet.

“Meriman Vehapi është ai që edhe ka bërë krim shumë të rëndë edhe padinë që ja kam bërë në Odën e Avokateve e ka tërhequr dhe ka punuar. Dëmshpërblimin ja kërkoj, tri troje i ka marrë në tokën time. Kjo është një punë, e cila është e tepruar që 9 vite. Unë jam sikurse i burgosur, nuk kam çka të them më shumë”, ka deklaruar ai.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast është caktuar të bëhet më 26 mars, nga ora 08:30.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur nga ish-Prokuroria Komunale në Prizren, i pandehuri Sami Gërdovci, si gjyqtar ekzekutues në Gjykatën Komunale në Prishtinë ka kryer veprën penale “nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore”. Ndërkaq, i pandehuri tjetër Meriman Vehapi, në cilësi të avokatit ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i besimit”.

Në dispozitivin e parë të aktakuzës thuhet se Gërdovci, në cilësi të gjyqtarit ka marr vendim të kundërligjshëm gjyqësor, me të cilin ka aprovuar propozimin e avokatit Vehapi, si i autorizuar i të paditurit në një çështje kontestimore, Budimir Steviq, dhe ka abroguar masën e përkohshme të caktuar me aktvendim në bazë të propozimit të paditësit Rrahim Bajrami. Kjo duke u bazuar në kërkesën gojore të avokatit Vehapi, me arsyetimin se i dëmtuari Bajrami ka vdekur.

Sipas aktakuzës, gjyqtari duke mos vërtetuar me asnjë provë relevante këtë fakt, ka shfuqizuar aktvendimin mbi caktimin e masës së përkohshme, duke e marr si të tillë një vendim të kundërligjshëm gjyqësor.

Ndërkaq në dispozitivin e dytë thuhet se konstatimi i avokatit se paditësi në atë çështje kontestimore kishte vdekur, ishte bërë në zyrën e gjyqtarit Gërdovci.

E gjithë kjo, sipas aktakuzës, është bërë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, të dobisë pasurore për të pandehurin Vehapi, dhe shkaktimin e dëmit për personin tjetër, Rrahim Bajrami.

Bartja e lëndës nëpër gjykata

 Aktakuza në fjalë është përpiluar pas afër 3 vite e 7 muaj nga kryerja e veprës penale.

Kjo lëndë fillimisht i është caktuar Gjykatës Themelore në Prizren, përkatësisht gjyqtares Raime Elezi. Më 16 nëntor 2012 ishte caktuar seanca e parë për këtë çështje, por e njëjta nuk ishte mbajtur, dhe palët nuk janë ftuar më nga gjykata.

Kështu, më 22 janar 2014, i dëmtuari Rrahim Bajrami ka dërguar një parashtesë-urgjencë te kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha, nga i cili ka kërkuar arsyet e prolongimit të kësaj çështjeje dhe ka kërkuar që kjo lëndë të shqyrtohet sa më parë të jetë e mundur.

Pasi nuk ka marrë asnjë përgjigje, më 30 janar 2014, paditësi Bajrami ka dërguar urgjencë në Gjykatën Supreme të Kosovës, nga e cila më 13 mars 2014 ka marr përgjigje, ku thuhej se Gjykata e Apelit e Kosovës ka marrë aktvendim që lënda të kalojë në kompetencë të Gjykatës Themelore në Gjilan. Kjo me arsyetimin se njëri nga të akuzuarit kishte parashtruar kërkesë për përjashtimin e gjyqtarëve të Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prizren, dhe ka kërkuar që lënda t’i delegohet një gjykate tjetër për shqyrtim. Pra, kjo për faktin se i pandehuri Meriman Vehapi ka punuar një kohë të gjatë si gjyqtar në gjykatën e lartpërmendur.

Në Gjykatën themelore në Gjilan, lënda fillimisht i është caktuar gjyqtarit Naim Haliti i cili nuk ka mbajtur asnjë shqyrtim, dhe më pas ka kaluar te gjyqtarja Emine Salihu, e cila po ashtu nuk ka mbajtur asnjë shqyrtim.

Lënda sërish kalon te një gjyqtar tjetër përkatësisht te gjyqtari i tretë, Hasan Sadiku. Ky i fundit i kontaktuar nga i dëmtuari Bajrami, e kishte caktuar seancën fillestare me datën 25 shkurt 2015, në ora 10:30. Mirëpo, disa ditë para mbajtjes së shqyrtimit të caktuar, përkatësisht më 30 janar 2015, Gjykata themelore në Gjilan e ka njoftuar të dëmtuarin se duke vepruar sipas qarkores së Gjykatës Supreme të Kosovës, lënda i është dërguar Gjykatës Themelore në Prishtinë për vendosje.

Gjykata themelore në Prishtinë, më 10 gusht 2016 e kishte caktuar shqyrtimin fillestar, i cili ishte shtyrë në mungesë të një prokurori për të përfaqësuar këtë lëndë. Megjithatë, në seancën tjetër të caktuar me 15 shtator të atij viti, dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm, në prezencë të prokurores Ikramije Bojaxhiu.

Por kjo e fundit, nuk është paraqitur në gjykatë, në shqyrtimin e dytë, i caktuar të mbahen me 19 tetor 2016.

E më pas Bojaxhiu, ka lënë pozitën e prokurores, pasi që prej 1 janarit 2017, është angazhuar me punë të përhershme në kuadër të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Tani këtë aktakuze e përfaqëson prokurorja Merrushe Llugiqi.