Prokurori thotë se ka prova ndaj ish-drejtorit të Pallatit të Rinisë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, pretendon se ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të Pallatit të Rinisë në kryeqytet, Bajram Uka, kundërligjshëm i kishte lejuar shkollës “American School of Kosova” (ASK), përkatësisht pronarit të saj ta shfrytëzojë amfiteatrin në sipërfaqe prej 483 m2, e cila nuk ka qenë në ofertë publike që të lëshohet me qira.

Lajme

06/06/2018 13:22

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurori i rastit Naim Abazi si dhe i akuzuari për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Bajram Uka, kanë dhënë fjalët e tyre hyrëse.

Prokurori Abazi, në fjalën e tij hyrëse, ka thënë se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohen provat të cilat i kishte siguruar prokuroria gjatë fazës së hetimeve, e të cilat sipas tij, vërtetonin fajësinë e të akuzuarit Uka.

Ndërsa, i akuzuari Bajram Uka, ka thënë se e konsideronte veten të pafajshëm dhe sipas tij, nuk qëndrojnë faktet për të cilat pretendon prokuroria.

Ai ia ka prezantuar gjykatës një vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 12 maj 2016, më të cilin kishin pushuar hetimet ndaj tij për veprën penale “shpërdorim të detyrës zyrtare” dhe sipas tij, ky është i njëjti rast për çka tash po akuzohet, shkruan Betimiperdrejtesi.com.

Mirëpo, sipas prokurorit Abazi, ky vendim i prokurorisë ishte për një rast tjetër dhe nuk kishte të bënte me këtë shqyrtim gjyqësor.

Në këtë seancë, ka dhënë dëshminë e tij edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Pallatit të Rinisë, Ilir Dugolli i cili në prill të këtij viti ishte emëruar në këtë pozitë.

Dëshmitari Dugolli, ka deklaruar se Pallati i Rinisë ishte në menaxhimin e AKP-së, përkatësisht të AKM-së dhe së në këtë pallat mbi 100 lokale ishin me qira.

Në pyetjen e prokurorit Naim Abazi se çfarë ishte i informuar dëshmitari në lidhje me kontratën e lidhur në mes të Pallatit të Rinisë dhe ASK-së për shfrytëzimin e lokacionit me hapësirë 3330 metra katror, por që në atë kohë përveç hapësirave që ishin marrë në qira, ishte shfrytëzuar edhe një hapësirë tjetër prej 483 metra katror, e cila nuk ishte llogaritur me kontratën mbi qiranë, dëshmitari tha se nuk ishte në dijeni për cilën hapësirë e kishte fjalën prokurori.

Prokurori Abazi e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën e dhënë në polici me 14 prill 2015, në të cilën kishte deklaruar “mund t’ju them se kam reaguar nga mjetet e informimit dhe qëndrimi im nuk është marrë parasysh nga ana e drejtorit Bajram Uka”, në lidhje më këtë deklaratë dëshmitari tha se përgjigja e tij në këtë deklaratë ishte pjesërisht.

Por, më pas dëshmia e këtij dëshmitari, është lënë në gjysmë, për shkak të obligimeve të trupit gjykues, i kryesuar nga gjykatësja Shadije Gërguri, e cila kërkoi ndërprerje të seancën për një orë, por pas kërkesës së dëshmitarit kjo seancë është ndërprerë për të vazhduar një ditë tjetër.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 19 qershor 2018, në ora 9:00, në të cilën do të dëshmojë edhe dëshmitari Besim Zeka.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur në nëntor të vitit të kaluar, i akuzuari ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.

Sipas aktakuzës, Bajram Uka në vazhdimësi nga viti 2006 e deri në vitin 2013, si person zyrtar ushtrues detyre i Drejtorit të Pallatit të Rinisë, kishte tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, duke keqpërdorur pasurinë e Qeverisë së Kosovës, e cila pasuri ishte nën përkujdesen e tij.

Prokuroria pretendon se këtë e kishte bërë me qëllim që të përfitojë institucioni shkollor “American School of Kosova”. Sipas prokurorisë, i pandehuri e kishe lejuar shkollën amerikane, përkatësisht pronarin e saj ta shfrytëzojë amfiteatrin në sipërfaqe prej 483 m2, sipërfaqe e cila nuk ka qenë në ofertë publike që të lëshohet me qira.