Progres në harmonizimin e statuteve komunale

Besnik Osmani thotë se harmonizimi i statuteve komunale të katër komunave veriore ka shënuar progres. Ai beson se kuvendet komunale të këtyre komunave do të respektojnë afatet dhe përmbajtjet e statuteve, dhe nuk do të ketë nevojë për përsëritje të zgjedhjeve.

Lajme

10/04/2014 12:58

Katër komunat veriore në të cilat u gjetën shkelje në statutet e tyre komunale kanë bërë progres që të përmirësojnë ato gabime.

Kështu ka thënë për lajmi.net, Sekretari i Përgjithshëm i MAPL-së, Besnik Osmani. Ai ka thënë se janë mbajtur takime të përbashkëta në mes zyrtarëve komunal dhe përfaqësuesve të Ministrisë, në funksion të asaj që të respektohen afatet dhe përmbajtja e statuteve komunale.

“Faktikisht tanimë është në dorën e organeve të komunës që t’i respektojnë afatet. Ata janë duke punuar që ti përmirësojnë”.

“Ka një përparim relativisht të mirë në shumicën e çështjeve që i kemi adresuar për statutet. Mirëpo, MAPL pret edhe vendimin final të Kuvendeve Komunale dhe reagimet do t’i bëjë karshi vendimeve që do të marrin zyrtarët”.

“Po ka pasur takime të përbashkëta edhe në selinë e komunave por edhe në selinë e Ministrisë të Planifikimit të Pushtetit Lokal. Komisionet Statutare të komunave, zyrtarët e komunave, kryesuesit e komunave, strukturat lokale dhe përfaqësuesit e departamenteve ligjor po vazhdojnë të punojnë që të respektohen afatet dhe përmbajtjen e statuteve komunale”.

Besnik Osmani

Besnik Osmani thotë se tashmë Kuvendet Komunale të katër komunave veriore duhet të përmirësojnë shkeljet dhe t’i paraqesin ato në seancën e ardhshme. Ai thotë se sa do të respektohen rekomandimet e MAPL-së, është në dorën e Kuvendeve Komunale.

“MAPL në formë zyrtare, ka konstatuar se cilat janë shkeljet në statutet që i kanë miratuar herën e parë. Edhe këto çështje të gjitha duhet të adresohen në seancën e radhës dhe do të përmirësohen”.

“Sa do të respektohen dhe në cilën datë do të mbahen, mbetet që të vendosin Kuvendet Komunale”.

Sekretari Osmani thotë se nëse nuk bëhen përmirësime në përmbajtjen e statuteve, MAPL do të veproj sipas ligjit.

Përsëritja e zgjedhjeve sipas tij nuk është një gjë e pamundshme, por se ai është optimist që nuk do të ketë nevojë për veprime të tilla.

MAPL do të ndërmerr hapa që janë të parapara në ligjet e Kosovës edhe që kanë të bëjnë me vendimet përkatëse që do të ndërmerr Qeveria karshi organeve të Komunës edhe karshi përmbajtjeve të statuteve komunale”.

“Nuk është një solucion i pamundshëm. Ligji parasheh edhe forma të tilla mirëpo ka edhe forma më të lehta të cilat do të mund që të përmirësonin”.

“Janë vendimet e gjykatave të cilat kanë të drejtë që të përmirësojnë aktet jashtë autoritetit të komunës dhe jashtë autoritetit të MAPL-së, nëse konstatohet se ka shkelje”.

“Ne po besojmë shumë që, me përkushtimin që kanë organet e komunës nuk do të ketë nevojë për veprime shtesë. Ato do të përmirësohen në afat”, tha për lajmi.net Besnik Osmani.