Produktet kosovare jo shumë cilësore

Selatin Kaçaniku thotë se produktet vendore nuk i plotësojnë kushtet e standardeve europiane. Ndërsa, Agim Shahini  i AKB-së thekson se në krahasim me vitet e kaluara prodhuesit kosovarë janë në nivel më të mirë sa i përket cilësisë.

Lajme

01/06/2014 15:33

Përfaqësues të organizatës joqeveritare “Konsumatori” vlerësojnë se produktet vendore nuk janë shumë cilësore.

Prodhimet kosovare të cilat kanë depërtuar shumë pak në vendet e rajonit, sipas tyre, nuk i plotësojnë standardet europiane në aspektin e cilësisë.

Kryetari i kësaj organizate, Selatin Kaçaniku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon për mosinteresim të prodhuesve në aktivitetet që kanë të bëjnë me ngritje të cilësisë.
 
“Në përgatitje të muajit mars për të drejtat e konsumatorëve i patëm ftuar të gjithë akterët, qofshin ato asociacione apo biznese që të na bashkëngjiten, gjatë këtyre manifestimeve që kishin për qëllim vetëdijesimin e tyre për depërtimin në tregjet evropiane.

“Por, fatkeqësisht, asnjë asociacion dhe asnjë biznes nuk na u bashkua dhe ky mosinteresim i bizneseve neve na bën të dyshojmë se ato akoma nuk janë të gatshme që të ballafaqohen me kushtet e standardeve evropiane”, sqaron Kaçaniku.
  
Sidoqoftë, përfaqësues të bizneseve thonë se krahasuar me 3 apo 4 vjet më parë, prodhuesit kosovarë janë në një nivel më të mirë sa i përket cilësisë.
 
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, tha për REL se shumë prodhues vendorë i plotësojnë standardet më të larta ndërkombëtare dhe shumë prej tyre kanë marrë edhe çmime ndërkombëtare për kualitet.
 
“Për fat të mirë, bizneset kosovare, sidomos ato prodhuese, janë duke u vetëdijesuar se tregjet nuk mund të merren vetëm me sasi dhe kuantitet, por vetëm me kualitet dhe siguri të produktit në treg, përveç që duhet të jetë çmimi konkurrent, duhet të jetë edhe kualiteti. Ne si AKB vazhdojmë t’i ftojmë konsumatorët që të konsumojnë prodhime vendore, kurse bizneset të prodhojnë kualitet të lartë, të sigurt dhe të shëndetshëm”, thekson Shahini.