Prishtinë, përfundoi autopsia e të vrarëve në Kumanovë

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka përfunduar autopsia e 9 shtetasve të Kosovës, të vrarë në incidentin e armatosur në Kumanovë, me 9 dhe 10 maj. Raportet i dërgohen Prokurorisë së Shtetit, e cila pastaj do t'i bëjë ato publike.

Lajme

24/05/2015 13:40

Gërxhaliu tha se rezultatet do t’i dorëzohen Prokurorisë.

“Kemi kryer punën tonë profesionale. Kemi shënuar çdo gjë, dhe kemi fotografuar, pra kemi kryer punën tonë në çdo milimetër, ashtu si parashihet me standardet operative mjekoligjore. Do t’i përpilojmë raportet tona të autopsisë për secilin dhe do t’ia dorëzojmë Prokurorit të Shtetit, sepse etika profesionale e do kështu. Nga etika profesionale nuk më lejohet të flasë më shumë. Prokurori i Shtetit do të njoftohet me hollësitë për çdo gjetje që e kemi pasur në secilin trup”, tha Gërxhaliu.

Trupat e pajetë të 9 shtetasve të Kosovës, të vrarë në Kumanovë, janë sjellë në Kosovë të premten në mëngjes.

Shtetasit e Kosovës të identifikuar si të vrarë në incidentin e Kumanovës janë: Xhafer (Hysen) Zymeraj, Beg (Miftar) Rizaj, Mirsad (Osman) Ndrecaj, Valon (Selim) Kabashi, Turgaj (Mehmet) Gashi, Samid (Bajram) Kastrioti, Hysen (Latif) Rushiti, Fatlum (Kadri) Vishesella dhe Arben (Qerim) Rexhaj.

Përleshja e armatosur në Kumanovë la 18 të vrarë, 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.

Fillimisht, autoritetet maqedonase kishin thënë se numri i viktimave është 22, 14 nga të cilët ishin pjesëtarë të vrarë të grupit të armatosur.