Prishtina mohon pretendimet e Beogradit se kosovarët janë “kontrabanduar” si refugjatë sirianë

Zyrtarë të Qeverisë së Serbisë dhe mediat e këtij vendi, kanë raportuar ditëve të fundit se duke e shfrytëzuar kaosin e krijuar në kufirin Serbi-Hungari, shqiptarë nga Kosova po arrijnë të “kontrabandohen” me refugjatë sirianë për ta kaluar këtë kufi në mënyrë ilegale.

Lajme

19/09/2015 12:31

Mediat serbe raportojnë se në disa pjesë të kufirit janë gjetur pasaporta të Kosovës të cilët, sipas të gjitha gjasave, janë hedhur nga shtetas të vendit tonë.

E përditshmja serbe “Blic” i ka kushtuar një tekst të veçantë kësaj çështje, por duke mos dhënë ndonjë shifër për numrin e mundshëm të kosovarëve që kanë mundur në këtë mënyrë të kalojnë në BE.

“Sipas të gjitha gjasave, ata e kanë shfrytëzuar situatën, dhe kanë hedhur pasaportat për të mos u identifikuar. Nuk kanë dokumente. Pasi që Kosova nuk ka liberalizim të vizave, banorët e Kosovës nuk janë të përfshirë në databazat e BE-së, kështu që nuk ka mundësi të identifikohen as përmes shenjave të gishtërinjve. Kështu që nuk ka qenë vështirë për ata që të kontrabandohen si qytetarë sirianë”, thotë një burim i gazetës Blic, ndonëse pranon se nga 15 shtatori kjo gjë është pamundësuari, pasi pala hungareze mbyllui kufirin.

Mundësia e ekzistimit të një fenomeni të tillë është mohuar nga organet kosovare të rendit. Të paktën, sipas tyre, një gjë e tillë nuk mund të dokumentohet nga  informata zyrtare të Policisë së Kufirit.

Valon Krasniqi nga Departamenti për shtetësi azil dhe migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme,  ka thënë për lajmi.net se deri më tani nuk është paraqitur ndonjë rast i tillë nga Policia e Kosovës, por as nga vendet anëtarë të BE-së.

“Nuk kemi informacion për një gjë të tillë, Policia e Kosovës  është e përfshire dhe duke monitoruar dhe nëse ka diçka të tillë, ata ne na lajmërojnë. Po ashtu, ne jemi në kontakt të vazhdueshme edhe me vendet e BE-së dhe nuk kemi informacion për një gjë të tillë”, ka thënë Krasniqi.

Në anën tjetër, zyrtarë të qeverisë serbe, ndonëse me hamendje, thonë se një formë e tillë e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në turma të refugjatëve sirianë është konstatuar edhe në praktikë. Kështu ka thënë për Blic ministri i Punës së Serbisë, Aleksandar Vulin.

“Kemi pasur raste të tillë edhe në praktikë. Jo shumë raste, por ka pasur disa. Ashtu siç kemi pasur raste që pakistanezët dhe hindusët ta paraqiten si sirianë dhe të ngjashme”, ka thënë Vulin.

Konstatim të detajuar zyrtar, nuk kanë mundur të japin as pala serbe që e pohon dhe as ajo kosovare që e mohon këtë.

Të dhëna për këtë çështje nuk ka as Organizata e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), me seli në Kosovë. Shpend Halili, zëdhënës i UNHCR-së, ka thënë për lajmi.net se ata nuk kanë informacione të tilla, edhe pse sipas tij puna e organizatës ka të bëjë me ndihem e refugjatëve dhe nuk merret me fenomene të tilla.

Halili ka thënë për lajmi.net se identifikimi i personave këtë rast refugjatëve u takon shteteve përkatëse, në këtë rast Kosovës dhe Serbisë.(Lajmi.net)