Prishtina ka ujë veç edhe për 3 muaj

Situata e furnizimit me ujë në Prishtinë po përkeqësohet. Ujësjellësi thotë se ujë ka edhe për tre muaj. Shpend Ahmeti thotë se brenda dy vjetëve, prishtinasit do të kenë furnizim të pandërprerë me ujë.

Lajme

06/02/2014 20:53

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se prishtinasit do të kenë furnizim 24 orë me ujë, por brenda 24 muajsh.

Në një debat në emisionin “Jeta në Kosovë”, Ahmeti është shprehur se rajoni i Prishtinës ka mundësi ta zgjidhë problemin me ujë përgjithmonë, nëse palët e marrin më seriozisht problemin.

“Jam i bindur që brenda dy viteve, do të kemi ujë 24 orë”,

“Pardje i kam nisë letër edhe Kryeministrit që të diskutojmë dhe ta ngrisim këtë cështje në debat”.

“Regjioni i Prishtinës ka mundësi ta zgjidhë problemin me ujë përgjithmonë nëse merremi seriozisht të gjitha palët”.

“Absolutisht nuk është kërkesë për amnisti. Mbetem prapa asaj që kam thënë. Unë përfaqësoj interesat e qytetarëve të Prishtinës të cilët janë konsumatori më i madh i Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal”.

“Kompetencat janë mjaft të qarta, por mendoj se duhet ta ngrisim nivelin”.

Por Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, kundërshtoi zërat që thonë se në Prishtinë ka krizë me furnizim me ujë.

“Nuk jemi në krizë ende”, tha Ministri Ismajli.

Por me këtë konstatim nuk u pajtua Kryetari I Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Me t’u ndalë uji edhe 4 orë më shumë në ditë, nuk di ku ka krizë më të madhe”, tha Ahmeti.

Por gjendja në liqenet që e furnizojnë Prishtinën me ujë duket mjaft serioze.

“Janë më pak se 7 milionë metër kub ujë, pra ka ujë edhe për tre muaj nga Batllava”, tha në këtë debat Gjelosh Vataj, Drejtor i Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.