Presidentja Jahjaga e dekoroi ambasadoren Jacobson me Urdhrin “Ibrahim Rugova” 

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në një takim lamtumirës ka dekoruar ambasadoren e SHBA-ve në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Ibrahim Rugova”.

Lajme

06/07/2015 14:27

Jahjaga, e cila ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadoren e ShBA-së  Jacobson, i  ka shprehur falënderime  kësaj të fundit për mbështetjen e vazhdueshme të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës dhe gjithashtu për përkrahjen e proceseve demokratike nëpër të cilat po kalon vendi.

Presidentja Jahjaga e ka vlerësuar miqësinë e ambasadores Jacobson dhe përfaqësimin e denjë të SHBA-së në Kosovë, transmeton Lajmi.net.

Ndërsa ambasadorja Tracey Ann Jacobson e ka falënderuar presidenten Jahjaga për nderimin me Medalje Presidenciale dhe e ka  vlerësuar si shumë të veçantë miqësinë me qytetarët e Kosovës.

Ajo gjithashtu e ka vlerësuar rolin dhe angazhimin e presidentes Jahjaga, si faktor uniteti dhe ka theksuar se Kosova duhet të vazhdojë të ndërtohet si një shtet demokratik e gjithëpërfshirës. (Lajmi.net)