Presidentja e Kosovës, Qytetare Nderi e Panamasë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit në Panama, me ftesë të homologut të saj, Ricardo Martinelli, është shpallur Qytetare nderi e qytetit të Panamasë dhe i është dorëzua çelësi i këtij qyteti.

Lajme

02/04/2014 09:22

Titulli Qytetare Nderi iu dha presidentes Jahjaga, në një ceremoni të organizuar nga kryetarja e qytetit të Panamasë, Roxana Méndes de Obarrio, në vendimin e së cilës thuhet se “çelësi i qytetit dhe titulli i qytetarit të nderit i jepet Presidentes Jahjaga për përfaqësimin dhe prezantimin e Republikës së Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe kontributin në procesin e konsolidimit ndërkombëtar dhe njohjeve për vendin”.

Në ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues diplomatikë, në mesin e të cilëve edhe ambasadori i Vietnamit, Nguyen An Duy, ambasadori i Italisë, Giancarlo Maria Curcio, ambasadori i Panamasë në Holandë, jorezident për Kosovën,  Jose Manuel Teran Sitton, dhe e ngarkuara me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Panama, Zana Rudi.

Pas ceremonisë së ndarjes së titullit Qytetare nderi dhe dorëzimit të çelësit të qytetit të Panamasë, presidentja Jahjaga shprehu mirënjohjen e saj më të thellë që u bë pjesë e qytetit të Panamasë.

“Jam shumë e nderuar për miqësinë që po tregoni, sepse kjo do të thotë shumë jo vetëm për mua, por për të gjithë popullin e Kosovës. Ju falënderoj, me sinqeritetin tim më të madh dhe e pranoj me shumë nder këtë çelës dhe titullin Qytetare nderi e qytetit të Panamasë”, tha ndër të tjera presidentja.