Presidenti u garanton të gjitha komuniteteve mundësi të barabarta

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dje ka mbledhur Këshillin Konsultativ për Komunitete, në të cilën është diskutuar për problemet me të cilat ballafaqohen komunitetet pakicë në Kosovë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Lajme

27/07/2017 08:15

Me këtë rast presidenti Thaçi tha se do të vazhdojë me mbështetjen për këtë pjesë të shoqërisë kosovare, duke garantuar të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë.

Ndërsa kryesuesi i Këshillit Konsultativ për Komunitete ka thënë se vazhdimisht kanë marrë mbështetjen e presidentit, por jo edhe të disa ministrive me të cilat nuk kanë pasur bashkëpunim.

Ndërkaq njohësit e çështjeve politike thonë se Kosova avancon për mënyrën e trajtimit të komuniteteve joshqiptare.

Presidenti Thaçi në takim tha se Kosova është shtëpi e të gjithë qytetarëve dhe se nuk do të lejojë që të ketë dallime në baza kombëtare apo fetare.

“Ju siguroj që e keni mbështetjen e Zyrës së Presidentit. Jam i njoftuar për shqetësimet tuaja sikurse që ishte ai i përkthimit të librave shkollorë në gjuhën serbe. Si president takoj të gjithë liderët e komuniteteve, bisedojmë për zgjidhjet dhe proceset në të cilat kalojnë të gjitha komunitetet në Kosovë. Kosova është shtëpi e të gjithë qytetarëve pavarësisht gjinisë, fesë apo orientimit seksual. Garantojmë të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Dëshirojmë një Kosovë ku të gjithë do të ndihen të barabartë. Vetëm një Kosovë e re multietnike mund të ketë të ardhmen e saj”, ka thënë Thaçi, shkruan tutje Zëri.

Ai ka shtuar se komunitetet janë dhe do të kenë vlerë të jashtëzakonshme për vendin tonë.

“Jemi shtet që ka ndërmarrë politika afirmative dhe garanton të drejta e mundësi të barabarta. Dëshirojmë një Kosovë ku të gjithë do të ndihen të barabartë. Vetëm një Kosovë e re do të mundë të jetë garanci për të ardhshmen e saj. Komunitetet janë dhe do të mbeten vlerë e jashtëzakonshme për Kosovën”, ka përfunduar Thaçi.