Donjet Sadiku nuk fiton dot medalje në Kupën e Botës

Donjeta Sadiku ka mbetur pa medalje në Kupën Botërore që po mbahet në Foz do Iguaçu të Brazilit. Ajo sot pësoi humbje me rezultat të ngushtë 3:2 ndaj boksieres polake Aneta Elżbieta Rygielska, në një meç të fortë dhe të baraspeshuar në tri raunde, duke mos arritur të sigurojë kalimin tutje, që njëherësh do t’ia…

Sport

24/04/2026 21:28

Donjeta Sadiku ka mbetur pa medalje në Kupën Botërore që po mbahet në Foz do Iguaçu të Brazilit.

Ajo sot pësoi humbje me rezultat të ngushtë 3:2 ndaj boksieres polake Aneta Elżbieta Rygielska, në një meç të fortë dhe të baraspeshuar në tri raunde, duke mos arritur të sigurojë kalimin tutje, që njëherësh do t’ia siguronte së paku medaljen e bronztë.

Raundi i parë i takoi boksieres polake, ndërsa në raundin e dytë Donjeta Sadiku reagoi fuqishëm, duke treguar ritëm më të lartë dhe duke e fituar këtë pjesë 3:2.

Në këtë raund, kundërshtarja e saj mori edhe një vërejtje publike nga gjyqtari i ringut.

Në raundin e tretë, gjyqtarët e vlerësuan 3:2 në favor të Rygielskës, në një periudhë ku Sadiku u paraqit aktive dhe kërkoi vazhdimisht iniciativën me goditje të pastra. Në fund, me vendim të ndarë të gjyqtarëve 3:2, fitorja iu dha boksieres polake.

Kupa Botërore e Boksit ka rëndësi të veçantë në kalendarin ndërkombëtar, pasi pikët e fituara ndikojnë drejtpërdrejt në renditjen dhe procesin e kualifikimit për Lojërat Olimpike “Los Anxhelos 2028”.