Presidenti i Shqipërisë vizitoi Lojërat Tradicionale në Rugovë

Në Bjeshkët e Rugovës, gjegjësisht në fshatin Stankaj, gjatë ditës se sotme u mbajtën Lojërat Tradicionale të Rugovës “Rugova 2018”.

Lajme

05/08/2018 21:50

Që nga viti 1990 këto lojëra mbahen kryesisht në shtatë disiplina, në mundje, hedhjen e gurapeshit, ngjitjen në shilo, rrëzimin e duarve, tërheqjen e litarit, hudhjen e llastarit dhe sharrën e vekut.

Përveç rugovasve në edicionin e këtij viti kishte garues edhe nga Mali i Zi, Diaspora dhe Shqipëria, ku njëri prej tyre edhe u shpall kampion në mundje.

Në Lojërat Tradicionale të këtij viti, të cilat janë organizuar nën patronatin e Komunës së Pejës, dhe të përkrahura edhe nga Ministria e Kulturës, i pranishëm ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, dhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Njëri ndër organizatorët e këtyre lojërave, Vesel Nikçi tha se këto lojëra po vazhdojnë të mbahen çdo vit në mënyrë që t’u bartet kjo trashëgimi kulturore brezave të rinj./kallxo.com/