Presidenti dhe ekipi në linjë të kundërt rreth kufijve

Analistët politikë konsiderojnë se platforma tashmë e dorëzuar në Kuvendin e Kosovës nuk mund ta garantojë një gjë të tillë.

Lajme

22/02/2019 08:06

Pavarësisht deklarimeve të vazhdueshme të përfaqësuesve të delegacionit shtetëror për dialogun se platforma do ta ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, analistët politikë konsiderojnë se platforma tashmë e dorëzuar në Kuvendin e Kosovës nuk mund ta garantojë një gjë të tillë.

Meqë presidenti Hashim Thaçi nuk po heq dorë nga ideja për korrigjim kufijsh, sipas tyre nuk mund të përjashtohet akoma skenari i shkëmbimit të territoreve, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Ndonëse kryesuesit e ekipit negociator janë zotuar se në kuadër të procesit të dialogut nuk do të ketë cenim të sovranitetit dhe të integritetit territorial, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka filluar sërish ditëve të fundit ta proklamojë idenë për korrigjim të kufirit Kosovë – Serbi.

Gjatë javës së kaluar udhëheqësit e delegacionit dorëzuan në Kuvendin e Kosovës platformën për procesin e negociatave me Serbinë, me anë të së cilës ndër të tjera synohet të ruhet edhe integriteti territorial.