Premton Qendër Skijimi

Valon Murati i Lëvizjes për Bashkim premton ndërtimin e terrenit të skijimit në parkun e Gërmisë, aty ku , sipas tij, veç gjendet infrastruktura e skilifteve.

Lajme

20/10/2013 11:23

Kandidati i Lëvizjes për Bashkim për Kryetar të Prishtinës, Valon Murati, shfrytëzoi mëngjesin me diell për t’u takuar me qytetarë në parkun e qytetit Gërmia.

Murati prezantoi para qytetarëve parimet themelore mbi të cilat do të ndërtohet qeverisja lokale nën udhëheqjen e tij si respektimi i ligjit, puna e ndershme, e përkushtuar dhe e përgjegjshme si dhe rritje e pjesëmarrjes së qytetarëve në qeverisjen komunale.

Ai tha se do të punojë që Qendra Prokollare në Gërmi, me ndihmën edhe të komunitetit të kulturës dhe shoqërisë civile,  të shndërrohet në një Qendër Multidisiplinare të Artit dhe Kulturës.

“Ky objekt në të cilin deri më tani janë investuar rreth 3 milion euro, e i cili rrezikohet të degradohet tërësisht, nuk u përfundua  për shkak se shoqëria civile ka paditur Komunën dhe Kuvendin e Kosovës se jashtëligjshëm po bëhet ndërtimi i tij, dhe gjykata ka ndërprerë punime tash e sa vite”.

“Organizatat e shoqërisë civile të cilat e kanë paditur Komunën dhe Kuvendin kanë dhënë shenja se janë të pajtimit që ky objekt të shndërrohet në një objekt kulture”.

Murati tha se në përpjekjen për të shtuar mundësit për sport dhe rekreacion do të përpiqet që përmes partneritetit publiko-privat të fillojë projektin për përgatitjen e terrenit të skijimit në Gërmi, aty ku veç gjendet infrastruktura e skilifteve.

“Në këto terrene do të ishin ideale për skijim të pasdites, të natës si dhe për përdorimin e tyre gjatë fundjavave në kryeqytet”.