Premton punë

Isa Mustafa ka premtuar se do të punësojë më shumë të rinjë dhe femra, në rast se rikonfirmohet Kryetar i Prishtinës. Gjithashtu ka premtuar mbështetje në bujqësi, turizëm, blegtori dhe pemëtari për fermerët nga Hajkobilla në Teneshdoll.

Lajme

24/11/2013 09:06

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka nisur ditën e diel me premtime për punësim të të rinjëve dhe femrave, në rast se rikonfirmohet Kryetar i Prishtinës edhe për një mandat.

Në një postim të gjatë që ka bërë në “Facebook”, Mustafa, ka thënë se në mandatin e ardhshëm do të punojë shumë në rritjen e punësimit të të rinjve dhe femrave.

“Do të hapet ‘Akademia profesionale’ përmes kompanive gjermane për trajnimin dhe certifikimin e të rinjve për profesione për tregun gjerman dhe evropian të punës; do të sigurojmë hapësirë për biznese të grave përmes hapjes së 4 qendrave tregtare në lagje të ndryshme të Prishtinës, ku gratë që merren me biznes do të mund të shesin produktet e tyre”.

“Do të mbështesim panairet e produkteve vendore dhe do të rrisim subvencionet për bizneset e grave të angazhuara në bujqësi, artizanate, prodhime ushqimore, bletari, prodhime të luleve”.

“Do të integrojmë arsimin me ekonominë përmes ofrimit të punës praktike në bashkëpunim me bizneset. Do të mbështesim të rinjtë në ndërmarrësi përmes subvencioneve”.

“Do të lehtësohen taksat për kafeteri dhe objekte hoteliere, të cilat shfrytëzojnë hapësira publike për tenda dhe objekte tjera të lëvizshme gjatë sezonit të verës, duke i ulur ato dhe duke i lidhur me kohen reale të shfrytëzimit të hapësirës”.

Isa Mustafa ka premtuar ndër të tjera se në rajonin kodrinor-malor të komunës së Prishtinës do të nxisin njerëzit të qëndrojnë duke krijuar kushte për të zhvilluar veprimtari prodhuese e përpunuese, krahas jetës më të mirë.

“Komuna do të vazhdoj të mbështesë fermerët në bujqësi, perimtari, pemëtari, shpeztari dhe bletari, sidomos në fshatrat: Barilevë, Vranidoll, Lebanë, Besi, Prugovc, Teneshdoll e Trudë”.

“Do të promovojmë zhvillimin e turizmit rural dhe artizanateve në fshatrat: Koliq, Ballaban, Prapashticë, Rimanishtë, Nishec, Dabishec dhe Hajkobillë”.

“Blegtorinë dhe pemëtarinë do ta mbështesim sidomos në fshatrat: Mramor, Slivovë, Kukavicë, Dragoc, Makovc, Radashevc, Keqekollë, Marevc dhe Gllogovic”.

Po ashtu, Mustafa ka thënë se do të fillohet me ndërtimin e infrastrukturës në Zonën Ekonomike, në veri të Prishtinës, në vazhdim të Arbërisë dhe Kodrës së Trimave, për të nxitur më shumë investime në biznes.

“Po ashtu, do të nxiten ndëtimet në veri dhe në lindje të Prishtinës, për ta orientuar zhvillimin në hapësirat ku ka infrastrukturë më të mirë dhe kushte më të mira për zgjerim”.

“Gjatë këtij mandati kemi subvencionuar shumë sera, farë, plehra, bletari e pemëtari. Kemi financuar projekte në meliorimin e livadheve dhe vaksinimin e gjedheve, dhe kemi ofruar trajnime për ndërmarrësi për të rinj dhe femra”.

Isa Mustafa ka thënë se investimet e bëra nga komuna  në infrastrukturë në qytet dhe në fshatra kanë ndikuar në zhvillimin e biznesit.

“Vetëm në ndërtimtari nga sektori privat janë investuar më shumë se 700 milionë euro në ndërtimet e objekteve banesore dhe të biznesit në lagjet e reja dhe regjenerimin urban në pjesët e vjetra të qytetit. Ky sektor po punëson mijëra punëtorë me efekte multiplikuese në gjithë Kosovën”.

“Ndërtimi i shesheve dhe kujdesi ndaj objekteve të trashëgimisë kulturore ka ndikuar në rritjen e turistëve. Gjatë këtij viti mbi 10,200 turistë kanë vizituar Prishtinën dhe kanë kërkuar informata në zyrën e Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës, e cila mbështetet nga Komuna e Prishtinës”.

“Të gjitha këto do t’i bëjmë së bashku me ju, qytetarë të nderuar”, ka shkruar në fund Isa Mustafa.