Premtimi Permanent

Bazuar në premtimet e mëhershme, prishtinasit do të duhej tani ta kujtonin furnizimin me ujë si një ëndërr të keqe të së shkuarës. Por, ky problem është larg për t’u zgjidhur. Agron Demi, nga Instituti GAP, shpjegon kush po e lë Prishtinën pa ujë.

Lajme

13/10/2013 06:40

Është fushata e tretë që Isa Mustafa u premton prishtinasve furnizim të pandërprerë me ujë, e janë gjashtë vjet të udhëheqjes së tij, por rubinetat në kuzhinat dhe banjot e tyre edhe më tej me orë të tëra mbesin pa të.

Bazuar në premtimet e mëhershme, prishtinasit do të duhej tani ta kujtonin furnizimin me ujë si një ëndërr të keqe të së shkuarës. Por, ky problem është larg për t’u zgjidhur.

Pak kohë pasi u arsyetua se nuk ka pasur kompetenca për zgjidhjen e problemit, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, ia nisi shpalosjes së planit të vet për investim në vlerë prej 60 milionë euro që ta heqë qafe këtë problem që po i rri si gur në qafë Kryeqytetit.

Agron Demi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Studime të Avancuara (GAP) thotë për lajmi.net se furnizimi 24 orësh me ujë të pijshëm është njëri nga premtimet e përsëritura të Mustafës nëpër fushata zgjedhore.

Sipas tij, Kryetari aktual i Prishtinës, i cili garon për një mandat të tretë nën siglën e LDK’së, deri më tani është arsyetuar se problem për zgjidhjen e problemit të ujit është mungesa e kompetencave të Komunës në Ujësjellësin Regjional “Prishtina”.

“Në tendencë për të larguar fajësinë, është përdorur loja politike e akuzave ndërpartiake”.

“Deri më tani, Kryetari aktual i Prishtinës Isa Mustafa ka thënë se Kompaninë Regjionale të Ujësjellësit ‘Prishtina’ e ka marrë SHIK’u. Pra çështja ka qenë se dy partitë (LDK dhe PDK) kanë tentuar të sulmojnë njëra-tjetrën dhe nuk janë munduar që të zgjidhin problemin”.

Demi, organizata e të cilit monitoron punën e pushtetit lokal nëpër Komunat e Kosovës, nënvizon se ndër problemet kryesore në mungesën e ujit nuk është vetëm ujësjellësi por edhe humbjet që shkaktohen nga rrjeti i dëmtuar që është kompetencë e Komunës së Prishtinës.

“Një problem tjetër është se me rastin e dhënieve të lejeve për ndërtime të reja, Komuna e Prishtinës nuk e pyet fare ujësjellësin se a ka kapacitet të mjaftueshëm të ujit që të bëhen lidhje të reja”.

“Gjithashtu, në aplikimin e disa kompanive ndërtimore për të marrë leje për lidhje të reja, Ujësjellësi ka kërkuar nga ato që të zhvendosin tubat e ujësjellësit. Mirëpo, një gjë e tillë nuk është përfillur nga kompanitë dhe me këtë rast është dëmtuar rrjeti. Duke pasur parasysh këto dëmtime, në Prishtinë mund të themi se afro 50 për qind e ujit humb si pasojë e dëmtimeve në rrjetin shpërndarës”.

Sipas Agron Demit, kandidati i LDK’së për Kryetar të Prishtinës ka bërë edhe premtime tjera të cilat i ka përsëritur në tri fushata zgjedhore.

“Ai këtë e argumenton me faktin se nuk është aprovuar Ligji për Prishtinën. Ai ka thënë se mungesa e këtij Ligji ka bërë që të mos ketë mundësi të ndërtojë Spitalin Rajonal, të cilin e ka premtuar në dy zgjedhjet e kaluara. Mirëpo, në këtë Ligj nuk thuhet se Komunës nuk i lejohet të menaxhojë me nivelin sekondar të shëndetësisë”.

“Ne ende nuk kemi mundur të shohim një planprogram të LDK’së për këto zgjedhje. Një program të tillë Isa Mustafa e ka pasur në zgjedhjet e kaluara. Dhe ne nuk kemi mundur të krahasojmë premtimet e mëhershme të tij me ato të tashmet. Gjatë fushatave të kaluara, Mustafa ka premtuar edhe tri parkingje nëntokësore që do të ndërtoheshin me partneritet publiko-privat, e të cilat nuk i ka realizuar”.