Preferon Ferizajn pa balotazh

PDK kërkon të fitojë pa balotazh në Ferizaj. Thaçi thotë se partia e tij ka gjetur përkrahje masive në këtë qytet. Agim Aliu premton vazhdimin e “investimeve milionëshe”.

Lajme

07/10/2013 15:46

Për më shumë se një orë, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka bashkëbiseduar sot me qytetarët e Ferizajt rreth planeve të partisë së tij për këtë komunë gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar të pushtetit lokal.

Takimi është mbajtur në qendër të Ferizajt, ndërsa pas përfundimit ai ka shëtitur për pak çaste nëpër rrugët e qytetit, ku është ndalur për të biseduar me qytetarë të rastit, prej të cilëve ka kërkuar votën për PDK’në më 3 nëntor.

Ai ka qenë i shoqëruar nga Agim Aliu, Kryetari aktual i Komunës, i cili po e kërkon edhe një mandat tjetër të emër të PDK’së.

Thaçi u shpreh i bindur se ferizajasit do të vazhdojnë ta mbështesin PDK’së, ndërsa preferoi që fitorja e Agim Aliut të vijë qysh në raundin e parë të zgjedhjeve.

“Jam jashtëzakonisht i inkurajuar me përkrahjen masive që kam marrë nga qytetarët për kryetarin aktual dhe të ardhshëm të Ferizajt, i cili do të vazhdojë me realizimin e projekteve europiane për Ferizajn”.

“Puna e tij tregon për përkrahjen masive që ka PDK edhe në këtë anë. Ne do t’i fitojmë shumicën e komunave, por Ferizajn do ta fitojmë në raundin e parë”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, kandidati i PDK’së për Kryetar të Ferizajt ka thënë se “investimet milionëshe” në këtë komunë do të vazhdojnë pas zgjedhjeve të 3 nëntorit.

“Ne do të vazhdojmë me investime milionëshe, do të vazhdojmë me investime të mëdha dhe për këtë kemi edhe mbështetjen e Qeverisë. Investimet bazike kanë përfunduar dhe tani po vazhdojmë me zhvillimin e Ferizajt”.