Pozita ka vota të mjaftueshme për të formuar Gjykatën Speciale në Kuvend

Pro themelimit të Gjykatës Speciale është thuajse e gjithë trupa e deputetëve të subjekteve në pushtet. Do të kalojnë amendamentet kushtetuese për të, sapo të hidhen për votim në Kuvend.

Lajme

23/04/2015 08:22

Janë vetëm tre deri në shtatë deputetë të PDK-së dhe LDK-së që do të votojnë kundër. Tre janë shprehur hapur, e vota e pesë të tjerëve nuk dihet saktësisht. Votat e tyre, bashkë me ato të deputetëve opozitarë, nuk janë të mjaftueshme për t’i ndalur këto amendamente, të cilat krijojnë bazën për ta themeluar Gjykatën që do të japë verdiktin përkitazi me krimet e luftës që pretendohet t’i kenë kryer pjesëtarë të UÇK-së, shkruan Koha Ditore.

Amendamentet kanë kaluar në Qeveri dhe e kanë marrë dritën jeshile edhe nga Gjykata Kushtetuese. Në Kuvend nuk kanë treguar se kur do të hidhen në votim ato.

Megjithëkëtë, ka pasur deklarata publike se do të vihen në rend dite menjëherë pasi deputetët serbë t’i japin fund bojkotit të punës së Kuvendit.

Për të kaluar një amendament kushtetues, Kushtetuta kërkon që pro tij të votojnë së paku dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Pra, kërkohet vota e së paku 80 prej 120 anëtarëve sa ka Kuvendi.

Opozita ka 31 deputetë dhe mbështetur në qëndrimet që liderët e tri subjekteve politike kanë shfaqur, asnjë nga deputetët e tyre nuk do të votojë pro Speciales.

Janë edhe 5 deputetë pa grup parlamentar. Nga ta, vetëm Shaip Muja pritet të jetë kundër. Ndërkaq, Blerim Shala, Margarita Kadriu e Nenad Rashiq janë deklaruar për. Ndërkaq, deputeti Gëzim Kelmendi akoma nuk dihet se si do të votojë, dhe se informatën se si do të votojë nuk do ta thotë deri sa Gjykata Speciale të vije në Kuvend.

Një arsyetim sikurse të Kelmendit e kanë dhënë për gazetën edhe shumë deputetë të partive në pushtet, të cilët ishin deklaruar kundër Gjykatës Speciale, por sipas një burimi të gazetës, pas një presioni nga krerët e partive të tyre politike, ose kanë ndërruar qëndrim, ose janë shtrënguar që të mos flasin në publik.

Ganimete Musliu nga PDK kishte votuar kundër letërkëmbimit Jahjaga-Ashton, por tashti nuk pranon të deklarohet se si do të votojë për Gjykatën Speciale. Ndërkaq, Alma Lama nga LDK ndonëse kishte votuar pro letërkëmbimit, tashmë është deklaruar se është kundër gjykatës, por nuk ka thënë se si do të votojë për të.

Burime të gazetës bëjnë të ditur se janë edhe dy deputetë nga PDK që do të votojnë kundër Speciales. Ata janë Fadil Demaku dhe Nuredin Lushtaku.

Deri më tani, janë vetëm tre deputetë nga partitë në pushtet që janë deklaruar publikisht që do të votojnë kundër Speciales, e ata janë: Nait Hasani, Fadil Demaku dhe Ganimete Musliu, shkruan Koha Ditore.