Potencial që po “humbë”

Të rinjtë e Kosovës vlerësohen lartë dhe me kapacitete të mëdha për punë. Mirëpo, sipas përfaqësuesve ndërkombëtarë në vend, i gjithë ky potencial i të rinjve nuk po arrinë të promovohet jashtë vendit, si pasojë e izolimit.

Lajme

12/08/2017 19:33

Në një takim me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, u vlerësua se përveç papunësisë dhe mungesës së përspektivës, të rinjtë e Kosovës po ballafaqohen edhe me pamundësinë e udhëtimit jashtë vendit, si shkak i mos-liberalizimit të vizave.

Iana Minochkina, e cila është vullnetare e OKB-së në Kosovë, tha se në vendin tonë punon që nga viti 2013 për implementimin e projekteve në lidhje me promovimin e të rinjve dhe se ka qenë shumë e impresionuar me kapacitetin dhe kreativitetin e te rinjve në Kosovë. Ajo theksoi se rinia kosovare ka kapacitet të madh e meriton të ketë sa më shumë promovime jashtë trojeve shqiptare dhe brenda saj.

Në këtë konferencë të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me moton “Ndërtimi i Paqes për të Rinj”, Labinot Berisha nga kjo ministri, duke potencuar se Dita Ndërkombëtare e Rinisë shënohet që nga viti 1999 në pothuajse të gjitha vendet e botës,tha se kjo ditë duhet të shërbejë për të sensibilizuar dhe fuqizuar rolin e të rinjve në shoqëri.

“Ideja është që të sensibilizojnë, të fuqizojnë të rinjtë në mbarë botën si një kategori posaçërisht e rëndësishme për shoqërinë, për të ardhmen e vetë njerëzimit. Andaj edhe për këtë vit, OKB Ditën Ndërkombëtare të Rinisë e ka përcaktuar me moton ‘Ndërtimi i Paqes për të Rinj’”, ka thënë Berisha.

Xhevat Bajrami, drejtor i Departamentit të Rinisë, tha se departamenti që ai drejton gjithmonë ka aktivitete për të rinjtë, të cilat nuk përkufizohen vetëm në ditë të veçanta, por vazhdimisht janë prezent në mbështetjen e organizatave të ndryshme rinore.

Dita Ndërkombëtare e Rinisë është përcjellur sot me një sërë aktivitetesh që kanë vazhduar deri në orën 18:00.