Politika si treg plaçkash

Të gjithë ne gjindemi në një situatë që mund të krahasohet me një treg plaçkash ku kush kënd nuk e merr vesh, për shkak të zhurmës së madhe.

Opinion

31/03/2016 11:56

Nëse me nocione më të përgjithësuara synohet të bëhet kategorizimi i rrjedhës së historisë në Kosovë që prej vitit 1912-të  (shpallja a pavarësisë së Shqipërisë) e këndej, mbase, do të mund të mbërrihej te konkludimi që tri konceptet mbizotëruse në një shekull e pak më shumë histori dhe politikë në Kosovë janë: Mbijetesa, Vendnumërimi  (Status Quo), dhe Ndryshimi rrënjësor  (për të mirë dhe për të keq).

Kosova nuk ka pasë dhe me gjasë, as që ka mundur të ketë, së paku jo deri në verën e vitit 1999-të, një vazhdimësi të zhvillimit politik dhe ekonomik.

Nuk mund të paramendohet diçka e tillë, nëse dihet që së paku në katër raste në këtë harkun kohor 1912-1999, ka qenë e cenuar vetë qenia kombëtare shqiptare në Kosovë, apo, ka mundur të ndodhë që të humbet një herë e përgjithmonë lidhja natyrore midis shqiptarëve dhe Kosovës.

Fati na ka ndihmuar në tri rastet e mëparme, apo, ndryshimi i kahjeve historike ndërkombëtare, ndërsa në atë të mbramin, në vitin 1999-të, fati u gatua në realitet nga ne dhe Perëndimi  (në radhë të parë, nga SHBA-ja), ashtuqë bëmë ndërlidhjen midis mbijetesës dhe ndryshimit thelbësor, më të rëndësishmin për një komb  (çlirimin e tij), i cili pastaj çeli udhë për bërjen e shtetit të Kosovës.

Ai shpërthimi i gjithëfarshëm  (politik, ekonomik, shoqëror, mediatik), i pasluftës në Kosovë, që shpërfaqi dellin e veçantë kosovar për ndërmarrësi të të gjitha llojeve dhe mungesën kronike në përpjekjen për ndërtimin e sistemit të qëndrueshëm politik dhe ekonomik, megjithatë, për pak vite, aty në vitet 2003-2004, mbërriti tek stadi i vendnumërimit. U kuptua që zbardhja e statusit të Kosovës është parakusht për ecjen para të Kosovës si shoqëri dhe si politikë. Por vetëm pas ngjarjeve tronditëse të pranverës së vitit 2004, u prish Statu Quo-ja dhe nisi procesi që pas gati katër viteve të plota do të përmbyllej me shpalljen e shtetit të Kosovës.

Në këtë mënyrë, me të drejtë  (dhe ky konkludim është në fuqi sot e kësaj dite), pohuam që më nuk mund të ndodhë kërcënimi i mbijetesës kombëtare shqiptare në Kosovë, apo që shteti si i tillë, me vet ekzistencën e tij, është garanca sipërore për qenien shqiptare në Kosovë.

Nëse ky përfundim është gjithsesi i sakt, një tjetër (konkludim) apo më shumë, një pritje që ishte konsesuale ndër ne, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk doli të jetë e qëndrueshme. Është supozuar që shteti i Kosovës do të mundësojë një ndryshim thelbësor politik, ekonomik dhe shoqëror të vendit, dhe një vazhdimësi të përparimit i cili do të na afrojë shumë kah synimi final: anëtarësimi në Paktin NATO dhe në Bashkimin Evropian. Arsyet pse kjo pritje doli të jetë joreale, janë të shumta. Ka autorësi të shumëfishtë për gjendjen e cila nuk ka si të mos kualifikohet si një tjetër stad politik i vendnumërimit, që na shfaqet me ndërlikime kontinuele, të cilat shpeshherë, me apo pa arsye quhen edhe kriza politike.

Këtu jemi pra, brenda një tjetër Statu Quo-së, e cila më së shumti është pasojë e një degradimi të skenës politike kosovare, por edhe e ndryshimit të rrethanave ndërkombëtare, veçmas në Evropë, të cilat janë njëmend më të këqija se kurrë që prej shembjes së Murit të Berlinit, në nëntorin e vitit 1989 e këndej. Ta zëmë, Liberalizimi i vizave për ne, si qytetarë të Kosovës, nuk varet vetëm prej nesh, apo, prej përmbushjes së krietereve të përcaktuara nga Komisioni Evropian, por edhe prej rrethanave gjithnjë e më të këqija karshi krizës së madhe të refugjatëve nga Siria dhe shtetet e tjera përreth.

Këtu, në këtë temë  (të Liberalizimit të vizave), e jona është t’i kryejmë detyrimet tona dhe pastaj, të shpresojmë që nuk do të pësojmë dëme për shkak të këtyre rrethanave shumë problematike në Evropë.

Sidoqoftë, nëse këtu i kthehmi vetes, duhet thënë që ne, si shoqëri dhe si politikë, jemi brenda një stadi shumë problematik të vendnumërimit, dhe që për më keq, si skenë politike, nuk kemi aspak vullnet që të trajtojmë si duhet këtë dukuri, dhe që të krijojmë rrethana kur në mënyrë të matur, të rregullt, të ligjshme, do ta ndryshojmë këtë status të rrezikshëm.

Të gjithë ne gjindemi në një situatë që mund të krahasohet me një treg plaçkash ku kush kënd nuk e merr vesh, për shkak të zhurmës së madhe. (Autori është opinionist i rregullt i lajmi.net)