Politika e rrethit

Në katër vitet e fundit të Kosovës, politikë të mirëfilltë ka pasë vetëm nëntë muaj. Nëse një familje kosovare funksionon vetëm nëntë muaj në katër vjet, ajo me siguri do të shpartallohej.

Lajme

09/11/2017 09:23

Nëse nuk do të ketë farë befasie të madhe, me 19 nëntor, pra, të dielen e ardhshme, do të përfundojë viti zgjedhor në Kosovë, që nisi të dielen, me 11 qershor, me votimin për përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës. Nëse dihet që thuaja në fillim të vitit ishte evidente që do të kemi zgjedhje të reja të jashtëzakonshme parlamentare, atëherë del që ky vit, është harxuar i tëri, politikisht, në kërkimin e autoriteteve të reja legjitime të vendit, në të gjitha nivelet e pushtetit.

Kështu ishte edhe në vitin 2014, për shkaqe të njohura, megjithëse atëherë patëm vetëm zgjedhje të përgjithshme.

Realisht, në këto katër vitet e fundit të Kosovës, politikë të mirëfilltë ka pasë vetëm nëntë muaj gjatë vitit 2016  (në atë periudhën pas zgjedhjes së Hashim Thaçit, President të Kosovës), dhe asnjë ditë më shumë. Nëse një familje kosovare funksionon si duhet vetëm nëntë muaj në katër vjet, ajo me siguri do të gjindej buzë shpartallimit. Nga ky pikëshikim së paku, del që ne nuk i kemi punët edhe aq keq.

Ky vit zgjedhor, na ka sjellë gjithë neve së paku pesë lajme të rëndësishme, të cilat në tërësinë e tyre karakterizojnë skenën politike të vendit.

Së pari, te dy palë zgjedhje janë organizuar mirë, nuk ka pasë ankesa serioze në rrjedhën e tyre, më në fund, edhe rezultatet e votimit të qytetarëve të Kosovës, janë pranuar prej të gjitha subjekteve politike. Objketivisht, në këto anë të Ballkanit, vetëm në Kosovë  (krahasuar me shtetet fqinje të saj), kemi një konkludim të kësisojt të zgjedhjeve që nuk sjell me vete diskutime të shumta për mënyrën se si janë mbajtur, dhe nuk mëdyshin rezultatet e tyre.

Së dyti, kësaj here nuk ka pasë kurfarë kontestimi të procedurave të organizimit të zgjedhjeve në Veri. Të gjithë votuesit e Kosovës kanë votuar njësoj, në gjithë vendin, dhe pjesëmarrja e qytetarëve serbë në zgjedhje ka qenë e mirë. Në aspektin e relacionit në mes të qytetarëve si votues dhe institucioneve lokale dhe qendrore, ka ndodhë integrimi i plotë i qytetarëve serbë të Kosovës.

Së treti, KQZ, me të gjitha strukturat e veta, ka kaluar muaj të tërë duke numëruar dhe rinumëruar vota në të gjitha nivelet, duke riorganizuar madje zgjedhje, për të mbërritë rek konkludimi i Valdete Dakës, Kryetares së KQZ-së, që ngërthen në vete dije dhe përvojë  (sa të duash), që do të ishte mirë nëse do të bëher reformimi i sistemit zgjedhor të vendit. Fjala reformë, ndryshe, në shoqëritë post-komuniste, është më e përdorura, më e lira, më e kota, por ajo mund të ketë edhe peshë shumë të veçantë, nëse njëmend ka vullnet të duhur tek kryeprotagonistët e politikës kosovare. Nuk ka shenja fare që politikanët kosovarë e kanë ndërmend të mirren me Reformën e sistemit zgjedhor. Ndërsa diçka e tillë është absolutisht e domosdoshme.

Së katërti, puna e parimeve politike  (të cilat ndryshe mbahen vështirë edhe në shtetet më të zhvilluara demokratike në Botë), ka pësuar një devalvim të madh politik në vend. Mbase, nuk ka mbetë më kush në këtë politikën vendore, që një herë nuk ka bërë be që nuk do të bëjë koalicion me një subjekt të caktuar, e që në fund, nuk ka hyrë në partneritet pikërisht me atë entitet politik. Gjithë ajo zhurmë politike e viteve 2015, 2016, gjithë ajo terminologji thuaja-ushtarake për ‘patriotizëm’ dhe ‘tradhti’, gjithë ai destabilizim politik që na bëri përrallë në të katër anët e Botës, u harrua brenda ditës për shkak të interesave ditor të koalicioneve të lloj-llojshme për të fituar në zgjedhje. Pra, gjithçka është e mundur në këtë politikën kosovare, së paku sa i përket relacioneve në mes të politikanëve dhe partive të tyre.

Së pesti, i gjithë ky rrëfim për politikën kosovare gjatë këtij viti, i cili synonte ta tëfillonte sa më shumë që është e mundur lëmshin politik, apo të hapte udhë për krijimin e rrethanave më të volitshme që udhëheqësia kosovare të përqëndrohet shumë më tepër në kryetemat e Kosovës, së paku si qëndrojnë punët tani, nuk ka sjellë tek epilogu i dëshiruar. Ende sillemi në rreth me temat që janë me ne qysh nga vera e vitit 2015. Dhe kush nuk di si do të dalim nga ky rreth./Lajmi.net/