Policia në aksion, liroi një femër të rrëmbyer në Prishtinë

Policia e Kosovës ka ndërmarrë sot një aksion në Prishtinë për të liruar një femër, e cila ishte duke u mbajtur e mbyllur në një banesë pa dëshirën e saj dhe nën kërcënimin e armës.

Lajme

14/06/2018 13:01

Policia e Kosovës në një konferencë për media bëri të ditur se ka qenë reagimi i shpejtë i njësiteve policore të stacionit Qendra, që ka mundësuar lirimin e viktimës si dhe arrestimin e personit të dyshuar.

“Sot rreth orës 09:00 kemi pranuar informatën nga ankuesja (femër) se në rrugën ‘Bajram Kelmendi’ në Prishtinë, saktësisht në një banesë është duke u mbajtur me dhunë, nga një person i dyshuar i cili është i armatosur. Ka qenë reagim i shpejtë i njësiteve policore të stacionit Qendra, që ka mundësuar lirimin e viktimës si dhe arrestimin e personit të dyshuar”, u tha në konferencë, raporton Telegrafi.

Personi i arrestuar është A.M 45 vjeç, shtetas i Kosovës.

Në vendin e ngjarjes janë konfiskuar një revole e tipit C.Z e kalibrit 7.65 mm dhe 7 fishekë si dhe një sasi e substancës së dyshuar narkotike, që dyshohet të jetë kokainë.

Viktimës së rastit i është ofruar tretman mjekësor.

“Sipas ekipit mjekësor ajo është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërkohë ndaj personit të dyshuar do të ndërmerren veprimet e nevojshme policore konform autorizimeve ligjore në bashkëpunim me prokurorin e shtetit”, njoftoi Policia.