Policia lë në garazhe 160 vetura për riparim, bleu të reja rreth 2 milion euro

Që disa vite automjetet e Policisë së Kosovës po presin për servisim në garazhet e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Lajme

23/06/2017 12:39

Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk po i ngutët që të riparojë veturat me defekte për Policinë e Kosovës. Ato me defekte i la në garazhe për t’i riparuar një ditë, ndërkaq po blenë të reja për nevojat e Policisë.

Zyra Kombëtare e Auditimit, në publikimin e Raportit Financiar vjetor të Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2016, e ka evidentuar si problemë të lartë çështjen e veturave që po presin për servisim, shkruan lajmi.net.

“Në PK në tri vitet e fundit kemi rekomanduar lidhur me pritjet e gjata të automjeteve për riparime. Mirëpo edhe përkundër zotimit të menaxhmentit për ta zbatuar këtë rekomandim edhe në vitin 2016, numri i automjeteve që presin për servisime është shumë i lartë.  Në flotën e PK-së automjete ishin 161 automjete që presin për servisim dhe riparim për defekte të ndryshme. Pritjet ishin si në vijim: 12 automjete nga viti 2014; 30 automjete nga viti 2015; dhe 119 tjera gjatë vitit 2016”, thuhet në raportin e Auditorit për Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Sipas, të gjeturave, vonesat në riparime janë si rezultat i mungesës së pjesëve, stafit jo të mjaftueshëm dhe vjetërsisë së automjeteve

“Në anën tjetër PK vetëm gjatë vitit 2016 ka blerë automjete të reja në vlerë 1,894,170 euro. Vlen të theksohet që në kampin Vrella të PK-së, ishin në proces të shitjes 126 automjete, ndërsa edhe 325 automjete tjera ishin propozuar për t’u shitur”.

Auditori ka shfaqur rrezikun se dobësitë në vazhdimësi të automjeteve që presin për servisim, tregon se kontrollet ende nuk kanë arritur nivelin e duhur dhe se kjo rrit rrezikun e menaxhimit jo të mirë, zhvlerësimit në pritje të automjeteve dhe humbjes së pjesëve të tyre.

Andaj, Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar qw Ministri në bashkëpunim më Drejtorin e PK-së duhet të rishikojnë arsyet për mos zbatimin rekomandimeve të AP-së (në tri vitet e fundit) dhe të përcaktojnë masa shtesë për të forcuar kontrollet në këtë njësi dhe se njëherësh të forcojnë kontrollet prej identifikimit të defekteve e deri te riparimi i tyre, duke siguruar shfrytëzim më efikas të automjeteve. /Lajmi.net/