Policia e Kosovës ofron 10 mijë euro për informacione që lidhen me vrasjen e Ivanoviqit

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur që ofron një shpërblim prej 10 mijë euro për cilindo qytetar që ofron informacione që mund të shpien në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti.

Lajme

16/01/2018 14:38

Më tej, në komunikatën e Policisë së Kosovës thuhet:

“Lidhur me rastin e vrasjes së z.Ivanoviq, të ndodhur sot rreth orës 08:10 min, në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës me të gjitha njësitet e saja relevante është angazhuar në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të këtij rasti.

Policia është duke punuar në mbledhjen dhe analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevante për të zbardhur sa më parë këtë rast dhe për të sjellë para drejtësisë sa më parë që të jetë e mundur kryerësin/it e kësaj vepre kriminale.

Megjithatë, për identifikimin sa më të shpejt të kryerësve të këtij akti kriminal, Policia kërkon ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të rëndësishme për zbardhjen e rastit.

Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri rreth rastit t’a ndihmojë policinë me informacione për gjetjen e autorit/ve të këtij akti dhe për këtë ofron një shpërblim prej 10.000 euro (dhjetëmijë euro), për cilindo qytetar i cili mund të jep informacion të cilat shpien në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti.

Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund ato t’i dërgojnë në këto numra telefoni dhe e-mail adresën e poshtëshënuar:

Tel:-080019999 ose

– 192, dhe

e-mail: [email protected]

Thirrjet në këta numra të telefonit janë pa pagesë për të gjithë qytetarët, dhe policia do ta ruaj striktë të drejtën e anonimitetit apo fshehtësisë së identitetit në këta numra telefoni dhe në këtë e-mail adresë, përveçse nëse personat vetë, vullnetarisht deklarohen ndryshe.”, përfundohet në këtë komunikatë ./Lajmi.net/