Policia e Kosovës kundër trafikimit me qenie njerëzore, realizon kontroll në një lokal nate

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, si dhe në mbështetje të Njësisë Speciale Operative, ka zhvilluar një kontroll gjatë natës mes 17 dhe 18 janarit në një lokal nate në magjistralen Prishtinë-Ferizaj.

Lajme

18/01/2018 16:30

Policia e Kosovës njofton se gjatë kësaj kontrolle kanë identifikuar dhe kanë ndaluar gjithësej njëmbëdhjetë shtetase femra, nga të cilat tri nga Republika e Serbisë, dhe  tetë nga Republika e Shqipërisë, të cilat më pas janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj.

Kjo është komunikata e plotë për media nga Policia e Kosovës.

“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, në bashkëveprim me Drejtorinë Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, si dhe në mbështetje të NJSO-së dhe Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar, gjatë natës së 17 dhe 18 janarit 2018, kanë realizuar një kontroll në një lokal nate në magjistralen Prishtinë-Ferizaj.

Gjatë realizimit të kësaj kontrolle, zyrtarët policorë kanë identifikuar dhe kanë ndaluar shtetase të cilat besohet se po qëndronin kundërligjshëm, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për të Huaj, duke ushtruar veprimtari të ndryshme, duke punuar si valltare etj.

Gjatë kontrollit policor janë takuar gjithsej njëmbëdhjetë shtetase femra, nga të cilat: tri nga R. e Serbisë dhe tetë nga R. e Shqipërisë, të cilat janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj, me qëllim të vërtetimit të identitetit të tyre si dhe deri në kompletimin e procedurave të tjera të depërtimit të tyre nga territori i Republikës së Kosovës.

Janë kontrolluar dhe legjitimuar rreth dyzet persona (klient) të pranishëm tek të cilët janë gjetur:

  • 2 revole,
  • tri shufra metali,
  • një boks metali,
  • dy thika dhe
  • një sprej

Zyrtarët policorë kanë kontrolluar edhe pjesët përcjellëse të këtij  objekti, edhe në katet e tjera, ku në katin e dytë është identifikuar një kazino që operon pa leje pune.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive negative, të gjitha llojet e krimit, për të siguruar një ambient të qetë e të sigurt për qytetarët.”/Lajmi.net/