Policia e drejtoria e shkollës në Ratkoc, tregojnë përse axha rrahu nxënësen

Rrahja 16 vjeçares  Sh.B, nxënëse në shkollën e mesme të ulët 12 Maji” në Ratkoc të Rahovecit, nga ana e axhës së saj, ka shkaktuar reagime të shumta. Ndër të tjera, ndaj këtij akti ka reaguar edhe Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës.

Lajme

14/10/2016 14:40

Policia deklaron se i dyshuari H.B (1976) nga fshati Dejnë, dyshohet e ka ushtruar dhunë ndaj vajzës, mbesës së tij,  Sh.B (1999)

Por kaq të rëndë këtë rast nuk e vlerëson as policia e as drejtoria e shkollës.

Sipas tyre, dhënia e disa shuplakave vajzës e cila vetëm për muajin shtator ka bërë 41 mungesa në shkollë, nuk duhet ekzagjeruar deri në këtë masë.

Për më tepër, ata tregojnë se axha është vetë profesor i Edukatës Fizike në këtë shkollë.

Pavarësisht kësaj, zyrtarë të policisë së dhe drejtorisë së shkollës tregojnë se kanë kryer dhe po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme për këtë rast.

Hasan Krasniqi është drejtor i shkollës “12 Maji” në  Ratkoc të Rahovecit. Ai e konfirmon se incidenti ndërmjet axhës e mbesës ka ndodhur të enjten rreth orës 16:00, para shkollës, por jashtë rrethojës së saj.

“Ky është një problem familjar ndërmjet axhës dhe mbesës”, thotë Krasniqi për lajmi.net.

“Jemi njoftuar nga nxënësit kur erdhën duke bërtit se SH. e rrahën. Ne kemi vrapu për të parë se cfarë ka ndodhë, por e pamë se ishte problem brenda familjes”, thotë drejtor Krasniqi.

Sipas tij, nëse do të kishte incident ndërmjet dikujt tjetër dhe nxënëses së tyre, edhe pse ishte jashtë rrethojës së shkollës, ata do të ndërhynin.

“Për më tepër, axha i saj është mësimdhënës në shkollën tonë”.

Drejtori tregon për lajmi.net se motivi i rastit dyshohet të jenë mungesat e mëdha në shkollë që po bën nxënësja  SH.B.

“Vetëm për muajin shtator, ka bërë 41 mungesa. Gjithçka është e evidentuar”, thotë ai.

Drejtori e konfirmon se për këtë çështje, bazuar në Udhëzimin përkatës Administrativ, e ka njoftuar edhe babanë e vajzës se e bija po mungon në shkollë. Krejt kjo, javë më parë.

“Por babai i saj më tha se është i zënë me  punë, por do të dalë një ditë”, citon Krasniqi, fjalët e prindit të nxënëses së tij.

Por nuk është vetëm drejtori i shkollës që këtë rast e konsideron dhunë në familje, pavarësisht se vajza i ka prindërit e vet, kurse dhunën e ka ushtruar axha i saj.

Video e xhiruar nga nxënësit e shkollës ku shihet axha duke rrahur mbesën

YouTube player

Osman Ismajli,  komandant i policisë në  Rahovec, pasi konfirmon se kanë reaguar menjëherë pasi kanë parë videon e shpërndarë në internet, tregon se vajza është shëndosh e mirë.

“Bazuar edhe në ekzaminimet mjekësore, ajo është mirë dhe nuk ka asnjë lëndim”, thotë Ismajli për lajmi.net.

Ai tregon se rasti është iniciuar për dhunë në familje. “Po derisa ata jetojnë në të njëjtën shtëpi, ne e konsiderojmë familje”, thotë komandanti i policisë, kur pyetet se si ka mundësi që rrahja e vajzës nga axha, të konsiderohet dhunë në familje.

Ai sqaron se policia me procedurë të përshpejtuar do ta procedojë rastin dhe sot pritet që axha të dalë para gjykatës dhe atij t’i shqiptohet masa.

“Motivet për dhunë saktë ende nuk dihen, por dyshimet e para janë se vajza ka munguar në shkollë”, thotë Ismajli për lajmi.net.

“Axha e mban familjen andaj edhe konsiderohet si kryefamiljar”, thotë ai.

Nga ana tjetër, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), duke reaguar në lidhje me këtë rast, deklaron se dhuna në familje vazhdon të jetë shumë e shprehur në shoqërinë Kosovare.

Sipas hulumtimit të RrGGK “Mjaft më me arsyetime” të publikuar në vitin 2015, del se dhuna dukshëm është më e shprehur ndaj të rinjëve, ku rreth 72.3% e të rinjëve dhe të rejave në Kosovë të grup-moshave 18-25 kanë përjetuar dhunë në familje ndonjëherë.

Për më tepër, 54.7% e kosovarëve besojnë se “vajzat kanë nevojë për më shumë disiplinë sesa djemtë në mënyrë që ato të kenë moral të fortë”.

“RrGGK dënon rëndë dhunën ndaj vajzave, pasi që është e papranueshme dhe e dënueshme edhe me legjislacionin në fuqi”, shkruan në reagim, RrGGK. /lajmi.net