Polica arreston 4 persona në Pejë

(E Plotësuar) Nga aksioni i Policisë së Kosovës, i realizuar sot në mëngjes në Pejë, janë arrestuar 4 persona. Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale-‘krim i organizuar’.

Lajme

01/10/2014 11:14

Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona nga aksioni i orëve të mëngjesit të ndërmarrë në disa lokacione të Pejës, me dyshimin për përfshirje në kontrbandim të derivate të naftës.

Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, personat me inicialet G. V, M.V, S. G. Dhe F. V, janë arrestuar në Pejë me dyshimin se kanë kryer veprat penale ‘krim i organizuar, ‘keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi’, ‘kontrabandim dhe shmangie nga tatimi’.

“Operacioni policor ka filluar duke bastisur disa objekte të ndryshme në 5 lokacione në komunën e Pejës, kryesisht në vendbanimet e personave të lartcekur, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se gjatë periudhës kohore 2006-2008 kanë kryer vepra penale ‘krim i organizuar’,‘keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi’, ‘kontrabandim dhe shmangie nga tatimi’, duke vepruar si grup i organizuar në periudhën kohore 2006 -2008 kanë kontrabanduar sasi të mëdha të naftës dhe derivateve të saj nga Mali i Zi në Kosove pa paguar detyrime doganore dhe taksat tjera”.

“Në operacion kanë marrë pjesë dhe kanë asistuar edhe zyrtarë kompetentë nga Dogana dhe Administrata e Kosovës”.

“Të gjitha veprimet policore lidhur me këtë rast janë kryer në konsultim me prokurorin kompetent, dhe ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve për të vazhduar me procedurat tjera hetimore”, thuhet në një njoftim të Policisë së Kosovës.

—————————

Sot në orët e hershme të mëngjesit ka nisur një aksion policorë në Pejë, që ka si qëllim bastisjen e disa lokacioneve në këtë qytet, e që ka të bëjë me persona të dyshuar për kontrabandim me derivate të naftës.

Fillimin e këtij aksioni e ka konfirmuar për Express edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu.

 Ai nuk ka thënë shumë detaje, por vetëm ka thënë se ky aksion ka nis në mëngjes.

“Krejt çfarë mund të ju them është se në rajonin e Pejës është duke u zhvilluar një operacion i Policisë në koordinim me Prokurorinë kompetente”, ka thënë Sadriu.

Sipas burimeve të kësaj gazete, deri më tani janë arrestuar disa persona, ndërkohë që aksioni po vazhdon.