Plagosja në Golem për një copë tokë

Dy pronarë të rinj të resorteve në plazhin e Golemit, janë zënë mëngjesin e sotëm, ku si pasojë një 24 vjeçar ka mbetur i plagosur.

Lajme

19/06/2016 14:29

Motivi i zënkës ka qenë për çështje pronësie, ndërkohë që policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim 23 vjeçarin që ka gjuajtur me armë pronarin tjetër.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10.30 prane nje kompleksi turistik. 24 vjecari me iniciale A.Ç pronar i kompleksit ‘Giardino’ ka qenë në një lokal buzë detit duke pirë kafe me shtetasin Lajden Kadilli, 23 vjec, pronar i  “Lyden hotel”, i cili gjendet pak metra ku ka ndodhur ngjarja.

Pas konfliktit që ka ndodhur në kafe janë dëgjuar të shtënat, ku 24 vjecari, pronar i kompleksit “Giardino” ka mbetur i plagosur. Në vendngjarje kanë mbërritur efektivat e komisariatit të policisë së Kavajës, të cilët kanë identifikuar autorin duke u vënë në kërkim për kapjen e tij. Burime nga vendngjarja kanë bërë të ditur se dy personat e mësipërm kanë konflikte që lidhen me pronësinë e tokës ku janë ndërtuar hotelet e sipërcituara.

24 vjecari i plagosur është dërguar në spitalin rajonal të Durrësit ku gjendet jashtë rrezikut për jetën.