Plagoset me thikë kreu i INUV Florenc Hoxha

Kreu i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor në Tiranë, Florenc Hoxha është plagosur me thikë mbrëmjen e sotme. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth ores 22:00 në një lokal në Farkë. 

Lajme

13/11/2014 23:08

Mësohet se kreu i INUV është qëlluar dy herë me një thikë pranë një lokali, ndërkohë që autori i krimit është larguar nga vendi i ngjarjes me makinë. Policia ka identifikuar autorin dhe po punon për kapjen e tij.

Po kështu mësohet se shkak për konfliktin mund të jetë bërë detyra e kryeinspektorit vendor ose problemet e pronësisë.

Ndërkaq bëhet me dije se Hoxha është dërguar për mjekim në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pak muaj më parë, Prokuroria në kryeqytet e akuzoi kreun e INUV, Florenc Hoxha, për shpërdorim detyre në katër raste.

Referuar hetimeve, në dy raste ai nuk ka vepruar me prishjen e objekteve pa leje, ndonëse ka pasur ankesa për to, në një rast ka prishur një objekt duke injoruar një vendim gjykate, ndërsa në një rast ka prishur një objekt që ishte në proces legalizimi.

Florenc Hoxha ka punuar më parë si oficer policie në sektorin e Krimit Ekonomik në disa rrethe dhe më pas në Tiranë gjatë vitit 2010 si shef i Komisariatit nr. 3 në Tiranë.

Emri i tij u lakua së tepërmi edhe gjatë protestës së 21 Janarit, ku u akuzua si një prej drejtuesve të policisë të përfshirë në dhunën ndaj protestuesve. Pas zgjedhjeve të 8 majit 2011, kryebashkiaku Lulzim Basha e emëron kreun e Inspektoriatit Urbanistik të Tiranës, po nën varësi të Bashkisë, raporton Ballkan Web.