Përplasje Norvegji-Rusi për Polin e Veriut

Norvegjia ka ftuar për shpjegime ambasadorin rus në Oslo, pas vizitës së një zyrtari të lartë rus në Norvegjinë Arktike, të cilit i ishte ndaluar hyrja në këtë vend.

Bota

20/04/2015 18:17

Zv/kryeministri rus, Dimitri Rogozin ishte i pranishëm sot në Svalbard, në rrethin arktik, dhe më pas shkoi në Polin e Veriut për përurimin e një baze detare ruse. Kjo i ka zemëruar shumë autoritetet norvegjeze, pasi zv/kryeministri rus është person i padëshiruar në Norvegji, në kuadër të sanksioneve kundër Rusisë.

Por nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus, Sergej Llavrov reagoi ashpër ndaj Norvegjisë, duke e cilësuar kontestimin e nordikëve si absurd dhe shkelje e ligjeve ndërkombëtare. Sipas tij, sanksionet nuk kanë të bëjnë fare me Traktatin e Spitsbergenit, i cili ua lejon të gjithëve udhëtimin në arkipelagun e Polit të Veriut, transmeton Shekulli.