Përkundër ndalesës, vazhdon shitja e qymyrit në tregjet e Prishtinës

Vitin e kaluar në kryeqytetin e Kosovës, u krijua gjendje alarmante në cilësinë e ajrit për shkak të shkallës së lartë të ndotjes.

Lajme

22/10/2018 15:06

Matës të ndotjes të komunës së Prishtinës, ambasadës amerikane por edhe matës të agjencive të ndryshme për cilësinë e ajrit e renditën Kosovën në vendet me ajrin më të ndotur në botë.

Përfaqësuesit ndërministror të Task Forcës për mbrojtjen e ajrit nga ndotja me propozim të kordinatorit, ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, aprovuan propozim vendimin për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në objektet e institucioneve publike, shkruan lajmi.net.

E pas debatit dy ditor, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën e cila kërkon që ambienti të jetë prioritet i lartë për Qeverinë. Gjithashtu rezoluta kërkon nga Qeveria të merr vendimin për ndalimin e thëngjillit për ngrohje në ndërtesa kolektive.

Përmes kësaj rezolute, Qeveria duhet të marrë masa në kontrollin teknik të automjeteve sipas ligjit në fuqi që ndalon përdorimin e veturave më të vjetra se 10 vite, pasi që emetimi i gazrave nga këto automjete cilësohet si një ndër shkaktarët kryesor në ndotjen e ajrit.

Por edhe përkundër ndalesës që ishte bërë nga MMPH në bashkëpunim me komunën e Prishtinës për shitjen dhe përdorimin e qymyrit, kjo lëndë djegëse ende vazhdon të shitet nëpër tregjet e Prishtinës.

Ekipi i lajmi.net ishin në disa nga tregje ku bëhej shitja e qymyrit, për të parë nëse ende vazhdon shitja e tij.

Në tregje shihej se shitësit e qymyrit, edhe pse në numër më të vogël nuk e kanë ndalur biznesin e tyre.

Duke mos pranuar të flasin para kamerës së lajmi.net, me arsyetimin se “mund të del ndonjë problem me policinë”, ata thanë mbrapa kameres se edhe pse e dinë se është e ndaluar shitja e qymyrit nuk mund ta ndalin shitjen e tij pasi që nuk kanë mënyrë tjetër për sigurimin e të hollave për mbijetesë.

Në lagjen “Tophane” pranë Xhamisë së Llapit, shitësi i tha lajmi.net se qymyri vazhdon të shitet por në masë shumë më të vogël në krahasim me vitet e kaluara. Ai shtoi se shitje ka më shumë prej banorëve nga rrethina e Prishtinës.

“E di se është e ndaluar tani shitja, por ne këtë e kemi mënyrë për sigurimin e parave për mbijetesë. Edhe ashtu shitja është ulur në masë shumë më të vogël pasi u ndalua nga Qeveria shitja e qymyrit. Me këtë rast është dashtë ta bëjmë edhe uljen e çmimit, tani një kamion me qymyr shkon vetëm 100 euro”, sqaroi shitësi.


Duke u nisur nga kjo situatë, si duket ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor bashkë me komunën e Prishtinës nuk po e bëjnë kontrollimin e terrenit përmes inspektorëve për ta ndaluar shitjen e qymyrit, kështu duke bërë vazhdimin e masës mbrojtëse ndaj ndotjes së ajrit, masë që ishte marrë nga vet ata.

Rikujtojmë, se nga komuna e Prishtinës u tha për lajmi.net se është në kompetencë të ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kontrollimi i shitjes eventuale të kësaj lënde djegëse.

Vlen të theksohet se, në rast të moszbatimit të masave të propozuara përmes rezolutës së miratuar në Kuvend, ky i fundit duhet t’i fillojë procedurat për ndryshimin e nenit 52 të kushtetutës së Kosovës, me qëllim që e drejta për ajër dhe ujë të pastër të përfshihet si e drejtë e njeriut e garantuar me kushtetutë. E.K. /Lajmi.net/