Përfundojnë kërkimet në vendin e shpërthimit, dy të vdekur (Video)

Bashkim Mehana, rreth 50 vjeç nga Vushtrria, është personi i tretë dhe i fundit i cili është gjetur nën gërmadhat e objektit i cili ka shpërthyer në Termocentralin Kosova A.

Lajme

06/06/2014 23:20

Mehana është gjetur pa shenja jete dhe trupi i tij tashmë është dërguar në morg. 

Edmond Nulleshi, drejtor ekzekutiv i shërbimeve të KEK-ut, duke u shprehur ngushëllime familjarëve dhe kolegëve për humbjen e jetës së kolegut të tyre, ka thënë se ky ishte personi i fundit i cili u gjet. 

Nulleshi ka thënë se në momentet e mbrëmjes, në kohën kur edhe ka dhënë deklaratën ka thënë se janë shteruar të gjitha mundësitë që të ketë edhe persona të tjerë të humbur në atë zonë. 

“Qa mundem me konfirmuar në këtë moment është që është gjetur edhe personi i tretë që ishte në atë objekt dhe që ka qenë i humbur. Fatkeqësisht me pasoja fatale, është gjetur pa jetë. Në këtë rast shprehim keqardhje dhe ngushëllimet tona të sinqerta kolegëve dhe familjarëve për vdekjen e kolegut tonë. Po dihet, është Bashkim Mehana i moshës rreth 50 vjeç”, ka thënë Nulleshi. 

Nulleshi, ka theksuar se Forenzika ka vazhduar punën edhe pas gjetjes së Mehanës, mirëpo më vonë ka përfunduar i gjithë operacioni i kërkimit në gërmadhat e ndërtesave të KEK-ut. 

Mjekët ligjorë janë kthyer në departamentin e tyre dhe po bëjnë ekzaminimin e trupave të pajetë të Bashkim Mehanes dhe Latif Jasharit. (Kosovapress)